×
Thursday, June 11, 2026

18 vite nga miratimi i himnit të Kosovës, melodia “Europa” u bë simbol shtetëror pa tekst

June 11, 2026


Kosova shënon sot 18-vjetorin e miratimit të himnit shtetëror, një nga simbolet kryesore të shtetit të ri të pavarur.

Më 11 qershor 2008, vetëm disa muaj pas shpalljes së pavarësisë, Kuvendi i Kosovës miratoi në një seancë të veçantë himnin shtetëror me 72 vota pro, 15 kundër dhe 5 abstenime.

Propozimi fitues mbante emrin “Europa” dhe u zgjodh mes disa alternativave të paraqitura në konkursin kombëtar për simbolet shtetërore të Kosovës.

Melodia u kompozua nga kompozitori i njohur kosovar, Mendi Mengjiqi. Fillimisht, himni ishte konceptuar edhe me tekst, por për shkak të kufizimeve të përcaktuara në planin e ish-presidentit finlandez, Martti Ahtisaari, komisioni përzgjedhës u detyrua të heqë vargjet dhe të miratojë një himn instrumental.

Vendimi për një himn pa tekst synonte të reflektonte karakterin shumetnik të Kosovës dhe të shmangte çdo element që mund të identifikohej me një komunitet të vetëm.

Që prej miratimit të tij në vitin 2008, himni i Kosovës është interpretuar në të gjitha ceremonitë zyrtare shtetërore, ngjarjet ndërkombëtare dhe aktivitetet sportive ku përfaqësohet shteti i Kosovës, duke u kthyer në një nga simbolet më të rëndësishme të identitetit shtetëror të vendit.




Comments are closed.