×
Tuesday, December 10, 2024

“Zgjidhje paqësore për krizën në Ukrainë”

February 26, 2020


Kryetari i OSBE-së, Kryeministri Edi Rama, deklaroi sot në Moskë se “kriza në Ukrainë apo përreth saj, ashtu siç e shohim ne, është sfida më e ngutshme në Europë dhe zgjidhja e kësaj krize natyrisht është përparësi kryesore e kryesisë sonë”.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm të Federatës Ruse, Sergey Lavrov, Kryeministri Rama tha se “jo më pak është edhe stabilizimi i situatës për njerëzit që jetojnë në zonat e konfliktit dhe vizita ime në Ukrainë në fillim të këtij viti dëshmon rëndësinë që i kushtojmë kësaj çështje”.

“Ne do të mbështesim të gjitha përpjekjet për të ecur drejt zgjidhjes paqësore. Kemi parë disa përparime, jo gjithçka është e zymtë ka disa gjëra të mira. Natyrisht mund të duken të vogla, por janë të mëdha për jetët e kaq shumë njerëzve, të mijëra civilëve, që u duhet të përballen me jetesën në të cilën shkojnë nga njëra anë në tjetrën të zonës së mosangazhimit. Më lini të them shumë drejtpërdrejtë e ta përsëris se mbështesim plotësisht Marrëveshjet e Miskut dhe besojmë se zbatimi i tyre, pa por apo po, është thelbësor për të ecur përpara”, – nënvizoi Rama.

Gjithashtu, tha Rama, mirëpresim përfundimet e Samitit të Parisit dhe presim me padurim hapa të mëtejshëm, konkretë në një samit tjetër në pranverë për të ruajtur këtë ritëm të krijuar.

“Një armëpushim i plotë dhe i qëndrueshëm është thelbësor. Misioni i posaçëm monitorues i OSBE-së duhet të ketë akses të sigurt e të papenguar për të plotësuar misionin e vet, gjithashtu misionit i duhet dhënë mbështetja e nevojshme për të cilat ka nevojë. Rusia është pjesëmarrëse kyçe në formatet negociuese në zonat e konflikt. Unë besoj që Rusia mund të përdorë ndikimin e saj për të na çuar më pranë paqes, shpresoj fort që do ta bëjë këtë. Është jetike për Moskën që të ruajë mbështetjen e saj konstruktive dhe angazhimin në diskutimet ndërkombëtare të Gjenevës”, – tha Rama.

Kryeministri Rama tha se “si kryetar i radhës i OSBE-së jam i vetëdijshëm për nevojën për të qenë një ndërmjetës i ndershëm dhe ashtu siç ministri Lavrov theksoi, siç edhe ne si Shqipëri e dinim qysh prej ditës së parë. Jam këtu plotësisht në frymën e dialogut dhe bashkëpunimit të mundshëm dhe në këtë frymë trajtuam së bashku me ministrin një sërë çështjesh kryesore në axhendën e OSBE-së, të cilat ndikojnë në sigurinë e rajonit tonë”.

“Natyrisht është më e lehtë ta thuash se ta bësh, kur i kalon të gjitha çështjet dhe i sheh ato, është e lehtë të thuash që na duhet një bashkëpunim i sinqertë mes palëve e qeverive të përfshira sidomos në konflikte, por natyrisht nuk është kaq e lehtë ta shohësh të realizohet në një mënyrë të qëndrueshme. Sidoqoftë na duhet përpjekje e besueshme për t’iu përmbajtur e zbatuar angazhimet tona ndërkombëtare. Si kryesi shqiptare ne kemi vendosur në themel të bashkëpunimit tonë për 2020 nevojën për të bërë një dallim në terren për njerëzit, pasi formatet, marrëveshjet, formulat janë të pranishme për ti diskutuar, njerëzve u duhet të jetojnë ditë pas dite, te kalojnë natë pas nate dhe ajo që kam parë me sytë e mi në zonën e konfliktit, ishte asgjë më pak sesa ndjesia sikur ishe në setin e një filmi të madh hollivudian për Apokalipsin”, – nënvizoi Rama.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating



Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments