Zgjedhjet Parlamentare në Mal të Zi, maxhoranca dhe opozita shpallin fitoren
Zgjedhjet Parlamentare në Malin e Zi janë zhvilluar në kushte të pazakonta për shkak të momentumit dhe frikës së pandemisë. Në ëtë garë elektorale janë regjistruar tri koalicionet opozitare: “Për ardhmërinë e Malit të Zi”, i udhëhequr nga partia Fronti Demokratik, “Paqja është kombi ynë”, i udhëhequr nga Demokratët e Alleksa Beçiqit, dhe “E bardha në të zezë”, i udhëhequr nga Dritan Abazoviq.
Në bazë të rezultatet paraprake të publikuara nga organizata e specializuar Qendra për Monitorim (CEMI),e cila ka analizuar 95% të mostrës nga materiali zgjedhor, të tre këto koalicione kanë fituar së bashku 41 mandate të deputetëve në Parlamentin e Malit të Zi, nga një numër total prej 81 deputetësh. Rrjedhimisht, të gjitha partitë dhe koalicionet e tjera që kanë marrë pjesë në zgjedhje kanë fituar gjithsej 40 vende ku përmendim subjekti politik aktual në pushtet, Partia Demokratike e Socialistëve e Milo Gjukanoviç, partitë e pakicave shqiptare dhe boshnjake, Social-Demokratët dhe Partia Social-Demokrate.
Pavarësisht këtij rezultati paraprak, rezultati përfundimtar i zgjedhjeve mbetet ende i pasigurt pasi ende nuk janë numëruar të gjitha votat dhe ndryshimet e caktuara janë të mundshme.
Në zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi kanë votuar 75.9 për qind e qytetarëve me të drejtë vote, përkatësisht 409,880 votues, njoftoi organizata joqeveritare Qendra për Tranzicionin Demokratik.
Mbyllja e Qendrave të Votimit dhe dalja e rezultateve paraprake ka sjellë edhe reagimet e para nga partitë opozitare të cilat shpallën fitoren. Optimist shprehet edhe Presidenti Milo Gjukanoviç i cili udhëheq subjektit më të madh në Mal të Zi, Partia Demokratike e Socialistëve (DPS). DPS ka garuar në mënyrë të pavarur. DPS është në pushtet që 30 vjet, në koalicion me parti më të vogla qytetare dhe parti të pakicave kombëtare.
Nga partitë e pushtetit aktual, në garë ishin edhe Social-Demokratët, Partia e Boshnjakëve, pastaj dy koalicione të partive shqiptare: “Lista shqiptare” dhe “Bashkë nji za”, si dhe dy parti të pakicës kroate.
Opozita, ndërkaq, ka garuar me tri koalicione dhe një parti.
Fronti Demokratik, partia më e madhe opozitare, njëherësh pro-serbe dhe pro-ruse, ka garuar brenda koalicionit “Për ardhmërinë e Malit të Zi”, që udhëhiqet nga profesori Zdravko Krivokapiq – një figurë jopartiake.
Lart në listë zgjedhore ishte edhe Marko Millaçiq, i cili vitet e kaluara ka udhëhequr një fushatë kundër NATO-s, duke djegur publikisht flamuj të aleancës ushtarake.
Koalicionin “Paqja është kombi ynë”, me në krye Alleksa Beçiqin, e përbëjnë Mali i Zi Demokratik dhe Demos.
Lista “E zeza në të bardhë” drejtohet nga lëvizja qytetare Ura e Dritan Abazoviqit – i cili është shqiptar – me mbështetjen e një numri të konsiderueshëm intelektualësh të profesioneve, kombeve dhe ideologjive të ndryshme.
Partia Social-Demokratike e opozitës, e cila ka garuar në mënyrë të pavarur, ka qenë në pushtet me DPS-në deri pesë vjet më parë. Ajo e ka lënë pushtetin për shkak të, siç ka thënë, korrupsionit të kudogjendur në strukturat shtetërore.
Zgjedhjet janë vëzhguar nga 2,089 vëzhgues, nga të cilët 265 kanë qenë të huaj.
Në Mal të Zi ndodhet Rrjeti Evropian i Organizatave për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (ENEMO) me gjithsej 23 ekipe.
Shefi i misionit vëzhgues të ENEMO-s në Mal të Zi, Gianluca Passarelli, ka thënë se zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi mbahen në një kohë vendimtare për këtë vend dhe se trazirat politike dhe sociale, kriza ekonomike dhe pandemia paraqesin një sfidë të madhe për të gjithë sistemin.
Eunews.al







