Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky zhvilloi një takim me homologun serb Aleksandar Vuçiç gjatë samitit të parë të “Tetëshes së Karpateve”, nismë e re rajonale për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe të sigurisë.
Përmes një postimi në platformën X, Zelensky falënderoi Serbinë për pjesëmarrjen në këtë format dhe theksoi rëndësinë e krijimit të mundësive të reja për vendet e rajonit.
“Është e rëndësishme ta zhvillojmë këtë format të ri takimesh, në mënyrë që çdo vend në rajon të gjejë mundësitë ekonomike dhe të sigurisë që i nevojiten”, shkroi presidenti ukrainas.
Ai bëri të ditur se gjatë samitit do të merrte pjesë edhe në Forumin e parë të Biznesit të Karpateve, ku pritet të diskutohen projekte në energji, transport, infrastrukturë dhe tregti.
Integrimi evropian dhe sulmet ruse në fokus
Zelensky tha se me Vuçiçin diskutoi marrëveshjet e arritura gjatë vizitës së tij në Beograd një muaj më parë.
“Diskutuam në detaje integrimin evropian të Ukrainës dhe Serbisë, si dhe situatën lidhur me sulmet ruse. Do ta vazhdojmë dialogun tonë dypalësh”, deklaroi ai.
Gjatë vizitës së parë zyrtare të Zelenskyt në Serbi, në fillim të gushtit, Vuçiç premtoi se Beogradi do të vazhdonte ta ndihmonte Ukrainën përmes dërgimit të ndihmave humanitare.
Vizita tërhoqi vëmendje të madhe ndërkombëtare, pasi Serbia mbetet ndër të paktat vende evropiane që nuk u është bashkuar sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës.
Megjithatë, Beogradi vazhdon të deklarojë se respekton integritetin territorial të Ukrainës, përfshirë Gadishullin e Krimesë, të aneksuar nga Rusia.
Qëndrimi për Kosovën mbetet i pandryshuar
Gjatë vizitës në Beograd, Zelensky u pyet edhe nëse Ukraina kishte ndryshuar qëndrimin për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Ne respektojmë integritetin territorial të partnerëve tanë dhe të drejtën ndërkombëtare. Sa i përket Kosovës, qëndrimi ynë mbetet i pandryshuar”, deklaroi atëherë presidenti ukrainas.
Ai falënderoi gjithashtu Serbinë për respektimin e integritetit territorial të Ukrainës. Deklarata për Kosovën shkaktoi reagime në Kosovë, Shqipëri dhe Ukrainë, veçanërisht për shkak se Prishtina u është bashkuar sanksioneve ndërkombëtare ndaj Rusisë dhe ka ofruar ndihmë për Kievin.
Çfarë është “Tetëshja e Karpateve”?
Nisma e re u prezantua nga Zelensky në samitin e zhvilluar në Ukrainën perëndimore dhe synon forcimin e bashkëpunimit në siguri, energji, logjistikë dhe tregti.
“Tetëshja e Karpateve” përfshin Ukrainën, Rumaninë, Serbinë, Poloninë, Sllovakinë, Çekinë, Austrinë dhe Hungarinë, ndërsa në format është përfshirë edhe Bashkimi Evropian.
Në samitin inaugurues morën pjesë, ndër të tjerë, kryeministri polak Donald Tusk, presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe presidenti rumun Nicușor Dan.
Zelensky falënderoi vendet e rajonit për mbajtjen hapur të lidhjeve tregtare dhe të transportit pas nisjes së pushtimit rus në shkallë të plotë më 2022.
Forumi i biznesit pritet të mbledhë rreth 550 përfaqësues, ndërsa parashikohet nënshkrimi i marrëveshjeve tregtare dhe të investimeve me vlerë rreth 1 miliard euro, sipas Reuters.
Sipas presidentit ukrainas, objektivi është krijimi i një kuadri të qëndrueshëm bashkëpunimi rajonal, ku siguria do të mbetet përparësi si gjatë luftës, ashtu edhe në vitet e ardhshme.


