Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, zhvilloi një takim me ministrin e Financave, Petrit Malaj, ku në fokus ishte roli i institucionit në procesin e integrimit evropian të vendit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ambasadorja theksoi se Ministria e Financave mban përgjegjësi të rëndësishme për menaxhimin e fondeve të BE-së dhe për përgatitjen e Shqipërisë për detyrimet financiare që do të sjellë anëtarësimi.
“Ministria e Financave luan një rol kyç në procesin e anëtarësimit, pasi menaxhon fondet e BE-së dhe përgatit vendin për detyrimet financiare që sjell anëtarësimi”, shkroi Moreira de Sousa.
Gjatë takimit me ministrin Malaj u diskutuan hapat që duhet të ndërmerren për forcimin e kapaciteteve financiare dhe administrative, si edhe për përdorimin efektiv dhe transparent të mbështetjes evropiane.
Ambasadorja rikonfirmoi angazhimin e Bashkimit Evropian për ta mbështetur Shqipërinë në përmbushjen e këtyre prioriteteve.
“Dje u takova me ministrin Petrit Malaj dhe rikonfirmova se BE-ja do të vazhdojë ta mbështesë punën në këto drejtime”, deklaroi ajo.
Menaxhimi i fondeve evropiane dhe përafrimi me rregullat financiare të BE-së janë pjesë e detyrimeve që Shqipëria duhet të përmbushë gjatë procesit të negociatave për anëtarësim.


