×
Friday, July 3, 2026

Zelensky kërkon nga SHBA licencë për prodhimin e raketave Patriot në Ukrainë

July 2, 2026


Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të miratojnë një licencë që do t’i mundësonte Ukrainës të prodhojë në territorin e saj sistemet amerikane të mbrojtjes ajrore Patriot.

Kërkesa e kreut të shtetit ukrainas vjen pas sulmeve të fundit ajrore ruse ndaj Kievit, ndërsa ai theksoi se forcimi i mbrojtjes ajrore mbetet prioriteti kryesor për vendin.

“Është veçanërisht e rëndësishme që marrëveshjet tona me SHBA-në për prodhimin e raketave antibalistike të kalojnë në fazën e zbatimit. Ne mbështetemi shumë në vendimin e Shteteve të Bashkuara për licencat e Patriot dhe bashkëpunime të tjera. Kjo është ajo që mund të ndalojë luftën dhe sulme të ngjashme”, deklaroi Zelensky.

Që nga fillimi i luftës, Ukraina ka marrë disa sisteme Patriot nga aleatët perëndimorë. Këto sisteme konsiderohen si mjeti më efektiv në arsenalin ukrainas për të interceptuar raketat balistike ruse.

Kievi synon tashmë të zhvillojë kapacitete vendase për prodhimin e raketave Patriot, në mënyrë që të rrisë pavarësinë e tij ushtarake dhe të sigurojë furnizim më të shpejtë me armë mbrojtëse.

Muajin e kaluar, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se administrata e tij do të “shqyrtojë” mundësinë e dhënies së një licence që do t’i lejonte Ukrainës të prodhojë vetë raketat Patriot.




Comments are closed.