×
Friday, July 3, 2026

Përfundon afati i katërt i Planit të Rritjes, Shqipëria pret vlerësimin e BE-së për fondet

July 2, 2026


Ka përfunduar afati i katërt për zbatimin e reformave në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor. Deri më 30 qershor, shtetet përfituese duhej të realizonin reformat e planifikuara, ndërsa deri më 15 korrik kanë afat të dorëzojnë raportet mbi progresin e arritur.

Pas shqyrtimit të raporteve, Komisioni Evropian do të vlerësojë nivelin e zbatimit të reformave dhe, mbi këtë bazë, do të vendosë për disbursimin e fondeve për secilin vend.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier, deklaroi për Radion Evropa e Lirë se fondet jepen vetëm pasi reformat të jenë zbatuar plotësisht.

“Instrumenti për Reforma dhe Rritje bazohet në performancë dhe fondet paguhen vetëm kur reformat zbatohen plotësisht”, u shpreh Mercier.

Sipas tij, rezultatet e deritanishme janë inkurajuese, pasi 78% e reformave të raportuara në tre ciklet e para janë përmbushur ose kanë shënuar përparim të konsiderueshëm, ndërsa 22% mbeten ende të pazbatuara.

Mali i Zi ka realizuar deri tani 32 reforma dhe ka përfituar rreth 90 milionë euro, ndërsa Maqedonia e Veriut ka përmbushur 22 reforma, duke marrë mbi 142 milionë euro.

Kosova nuk ka përmbushur ende asnjë hap reformues dhe deri më tani ka përfituar vetëm fondet e parafinancimit, me vlerë rreth 61 milionë euro.

Ndërkohë, Bosnje dhe Hercegovina mbetet pa asnjë pagesë nga Plani i Rritjes. Vitin e kaluar ajo humbi 108 milionë euro për shkak të vonesave në dorëzimin e Agjendës së Reformave.

Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor ka një buxhet total prej 6 miliardë eurosh për periudhën 2024–2027, nga të cilat 2 miliardë euro janë grante dhe 4 miliardë euro kredi me kushte të favorshme.

Sipas ndarjes së parashikuar të fondeve, Bosnje dhe Hercegovina mund të përfitojë deri në 976 milionë euro, Shqipëria 922 milionë euro, Maqedonia e Veriut 750 milionë euro, ndërsa Mali i Zi 383 milionë euro.




Comments are closed.