×
Friday, July 3, 2026

Rama për protestën: Dhuna është produkti i fundit i dështakëzemërakëve të bulevardit politiko-mediatik

July 2, 2026


Kryeministri Edi Rama reagoi pas tensioneve të krijuara gjatë protestës së zhvilluar para Kuvendit kundër investimit në Zvërnec, duke e cilësuar dhunën si produkt të atyre që, sipas tij, kanë dështuar politikisht.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama u shpreh se përshkallëzimi i protestës ishte i nxitur nga aktorë që, sipas tij, nuk kanë më asnjë alternativë tjetër.

“Kalimi në dhunë fizike është e vetmja gjë që mund të prodhojë tanimë korja e zezë e dështakëzemërakëve të bulevardit politiko-mediatik të Tiranës, koleksionistëve të precedentëve kriminalë dhe duarve të huaja pas tyre”, shkroi Rama.

Kreu i qeverisë shtoi se situata kërkon ende durim, duke lënë të kuptohet se më pas do të vijë momenti për reflektim.

“Duhet akoma durim e pastaj i vjen radha reflektimit”, u shpreh ai.

Protesta e së enjtes para Kuvendit u shoqërua me përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë. Demonstruesit bllokuan hyrjet e Kuvendit dhe penguan për një kohë daljen e deputetëve dhe ministrave pas përfundimit të seancës plenare.

Sipas të dhënave zyrtare, nga incidentet mbetën të plagosur 15 efektivë policie dhe 4 protestues, të cilët morën ndihmë mjekësore në spital.




Comments are closed.