Rama: Pensioni mesatar për karrierë të plotë synohet të arrijë në 400 euro deri në vitin 2029
Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë takimit të sotëm me pensionistët se përmirësimi i ekonomisë shqiptare do të reflektohet në rritjen graduale të mbështetjes financiare për pensionistët.
Sipas kreut të qeverisë, objektivi është që deri në vitin 2029 pensioni mesatar për qytetarët me karrierë të plotë pune të arrijë në 400 euro.
Ndërkohë, për pensionistët me vite të pjesshme sigurimi, synimi është që pensioni mesatar të shkojë në 220 euro.
Rama theksoi se rritja ekonomike dhe të ardhurat shtesë në buxhet do të përdoren për të përmirësuar mbështetjen për shtresën e tretë, duke e cilësuar këtë si një nga prioritetet e qeverisë për vitet në vijim.
Deklaratat u bënë në të njëjtën kohë me nisjen e shpërndarjes së bonusit veror për pensionistët, një pagesë shtesë prej 5 mijë lekësh.
Qeveria ka bërë të ditur se, pas zbatimit të reformës së pagave, fokusi i saj do të përqendrohet te rritja graduale e pensioneve dhe përmirësimi i të ardhurave për pensionistët.







