Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka vlerësuar progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, duke e cilësuar ritmin e vendit drejt anëtarësimit si mbresëlënës.
Gjatë samitit BE–Ballkani Perëndimor në Bruksel, Von der Leyen theksoi se zgjerimi përbën një domosdoshmëri strategjike për Evropën, ndërsa bëri të ditur se Bashkimi Evropian është në rrugën e duhur për të hapur dhe mbyllur mbi 100 kapituj negociatash gjatë këtij viti.
“Mali i Zi po i afrohet vijës së finishit të negociatave të anëtarësimit. Shqipëria vijon të ecë drejt këtij objektivi me një ritëm mbresëlënës. Në fillim të këtij muaji, prezantuam udhërrëfyesit për të dyja vendet. Këta udhërrëfyes përcaktojnë përparësi dhe etapa të qarta për punën që na pret”, deklaroi Von der Leyen.
Presidentja e Komisionit Evropian nënvizoi se paralelisht me reformat e vendeve kandidate, BE-ja po përgatitet për zgjerimin, duke vlerësuar ndikimin e tij në institucionet, politikat dhe buxhetin e përbashkët.
Ajo vuri theksin te rëndësia e integrimit gradual të Ballkanit Perëndimor në tregun unik evropian, duke u mundësuar qytetarëve dhe bizneseve përfitime konkrete përpara anëtarësimit të plotë.
Von der Leyen përmendi përfshirjen e katër partnerëve të rajonit në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), si dhe nisjen e negociatave për nismën “Roam Like at Home” me Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën.
Gjithashtu, ajo njoftoi se në fillim të vitit 2027 do të nisin dialogët individualë për integrimin gradual me secilin partner të Ballkanit Perëndimor, me synim identifikimin e mundësive të reja brenda tregut unik evropian.
Sa i përket zbatimit të Planit të Rritjes, presidentja e Komisionit Evropian bëri të ditur se përmbushja e hapave të reformave nga vendet e rajonit është rritur nga 38% në 63% brenda një viti. Sipas saj, ky progres mundëson çlirimin e 338 milionë eurove të tjera për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut gjatë javëve në vijim.
Von der Leyen vlerësoi gjithashtu forcimin e bashkëpunimit rajonal, rritjen e tregtisë ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, njohjen e ndërsjellë të kualifikimeve dhe funksionimin e korridoreve të gjelbra.
“Në fund të fundit, suksesi i zgjerimit do të matet nga ndryshimet që ai sjell në jetën e njerëzve: më shumë mundësi për të rinjtë, më shumë biznese që kanë mundësi të zhvillohen dhe të tregtojnë përtej kufijve, si dhe më shumë besim në të ardhmen”, përfundoi Von der Leyen.


