Liderët e Bashkimit Evropian dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor janë mbledhur në Bruksel në kuadër të samitit BE–Ballkani Perëndimor, ku në fokus është perspektiva evropiane e rajonit dhe përshpejtimi i procesit të integrimit.
Në një prononcim për mediat në mbërritje në samit, kryeministri Edi Rama e cilësoi takimin si një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit për vendet kandidate, duke theksuar rëndësinë e dialogut konstruktiv mbi arritjet dhe sfidat e procesit të anëtarësimit.
Kreu i qeverisë shqiptare i bëri thirrje Bashkimit Evropian të ndërmarrë një hap të guximshëm politik, duke afruar vendet kandidate me strukturat evropiane, pa cenuar parimin e anëtarësimit të bazuar në meritë.
“Është një moment për një bisedë të hapur dhe shumë konstruktive, për të shkëmbyer përshtypjet e vitit dhe idetë për të ardhmen. Është e rëndësishme të jemi këtu dhe pikërisht në samitin e këtij viti ka një arsye shumë të mirë për të ecur përpara drejt një integrimi më të madh”, deklaroi Rama.
Kryeministri nënvizoi se një vendimmarrje e tillë do të përbënte një sinjal të rëndësishëm politik, jo vetëm për qytetarët e vendeve kandidate, por edhe në arenën ndërkombëtare.
“Mbetem i bindur se BE-ja duhet të ketë guximin të bëjë një hap të guximshëm përpara, duke sjellë të gjitha vendet kandidate rreth tryezës, pa ndryshuar procesin e bazuar në meritë për secilin vend, por duke u dhënë një sinjal të fortë qytetarëve tanë dhe botës”, u shpreh Rama.


