Qeveria spanjolle ka miratuar një paketë prej 21 masash urgjente për përballimin e krizës së strehimit, pas protestave të mëdha në disa qytete dhe pas rrëzimit në Parlament të një pakete të ngjashme vetëm pak ditë më parë.
Masat përfshihen në dy dekrete të reja dhe synojnë të lehtësojnë aksesin në qira dhe në blerjen e banesës së parë, të zgjerojnë mbrojtjen kundër dëbimeve dhe të kufizojnë disa forma spekulimi në tregun e pasurive të paluajtshme.
Kriza u përshkallëzua pas rastit të 87-vjeçares María del Carmen “Maricarmen” Abascal, e cila u dëbua nga banesa në Madrid ku kishte jetuar prej dekadash. Rasti i saj u kthye në simbol të protestave për strehimin dhe nxiti mobilizime në disa qytete spanjolle.
“Nuk do të lejojmë që të përsëriten raste si ai i Maricarmen”, ka deklaruar kryeministri Pedro Sánchez, duke argumentuar se paketa synon t’u japë përgjigje qytetarëve që përballen me rritjen e qirave dhe vështirësi për të blerë banesën e parë.
Një nga risitë kryesore është krijimi i një linje financimi prej 10 miliardë eurosh për kredi pa interes deri në 50 mijë euro për personat që blejnë banesën e tyre të parë. Sipas qeverisë, masa do të zbatohet përmes Institutit Zyrtar të Kreditit, ICO.
Paketa parashikon gjithashtu lehtësi fiskale për qiramarrësit dhe për pronarët e vegjël që ofrojnë banesa me çmime të përballueshme, si dhe 280 milionë euro garanci për të nxitur ndërtimin e industrializuar të banesave.
Në fushën e mbrojtjes së qiramarrësve, qeveria synon të zgjasë deri në vitin 2030 disa masa kundër dëbimit të familjeve vulnerabël, të rregullojë më fort qiratë sezonale dhe të dhomave dhe të kufizojë blerjet spekulative të banesave nga fondet e mëdha.
Masat janë të ngjashme me ato që u rrëzuan më herët në Kongres, një zhvillim që Sánchez e përdori si argument për shpërndarjen e Parlamentit dhe thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme më 29 nëntor.
Me Parlamentin tashmë të shpërndarë, dekretet do të duhet të shqyrtohen nga Diputación Permanente, organi parlamentar që ushtron funksione të kufizuara deri në zgjedhjen e legjislaturës së re.
Sánchez u bëri sërish thirrje forcave politike të mbështesin paketën, duke deklaruar se çështja e strehimit “nuk është ideologjike”, por lidhet me një nga shqetësimet kryesore të qytetarëve spanjollë.


