×
Wednesday, June 24, 2026

Veteranët e UÇK-së: Mos e përdorni luftën për interesa politike

June 23, 2026


Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në protestën disaditore që po mbahet në Tiranë, duke shprehur shqetësimin për atë që e cilëson si përpjekje për manipulim politik dhe instrumentalizim të simboleve të UÇK-së.

Përmes një deklarate publike, kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, theksoi se është e papranueshme që në emër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të flasin apo të paraqiten individë dhe grupe që, sipas tij, ndër vite kanë tentuar të zbehin dhe të devijojnë vlerat e luftës çlirimtare.

Gucati nënvizoi se kauza e UÇK-së nuk mund të shfrytëzohet për qëllime politike apo interesa të ngushta personale dhe partiake.

“OVL e UÇK-së rithekson me përgjegjësi të plotë se kauza e UÇK-së nuk është dhe nuk mund të jetë instrument i asnjë agjende politike të ditës apo i interesave të ngushta personale e partiake”, u shpreh ai.

Në reagimin e saj, Organizata e Veteranëve u bëri thirrje organizatorëve të protestës në Tiranë që të ruajnë integritetin e protestës dhe të mos lejojnë keqpërdorimin e emrit të UÇK-së apo vetëdeklarime të rreme në emër të ish-ushtarëve dhe veteranëve të saj.

Sipas Gucatit, simbolika e UÇK-së përfaqëson sakrificën dhe përpjekjen për liri të popullit shqiptar dhe duhet të trajtohet me dinjitet e respekt.

“OVL e UÇK-së u bën thirrje organizatorëve të protestës në Tiranë që ta garantojnë integritetin e protestës dhe të mos lejojnë asnjë përpjekje për manipulim, keqpërdorim apo vetëdeklarim të rremë në emër të ish-ushtarëve apo veteranëve të UÇK-së. UÇK-ja është pjesë e historisë së lirisë dhe sakrificës së popullit tonë dhe duhet trajtuar me respekt, jo për përfitime politike”, thuhet në deklaratë.

Reagimi i OVL-UÇK-së vjen në një moment kur debati mbi përdorimin e simboleve të luftës së Kosovës në protestat që po zhvillohen në Tiranë është intensifikuar, ndërsa figura të ndryshme publike dhe politike kanë shprehur qëndrime të kundërta mbi këtë çështje.




Comments are closed.