×
Sunday, July 19, 2026

UEFA kërkon alternativë ndaj Infantino-s, rriten tensionet para zgjedhjeve për kreun e FIFA-s

July 18, 2026


Zgjedhjet për presidentin e FIFA-s, që do të zhvillohen në vitin 2027, pritet të jenë ndër më të diskutuarat e viteve të fundit, pasi marrëdhëniet mes UEFA-s dhe presidentit aktual, Gianni Infantino, duket se janë ftohur ndjeshëm.

Sipas raportimeve, një pjesë e federatave më të rëndësishme evropiane nuk janë më të gatshme të mbështesin një mandat të katërt për Infantino-n. Federata Gjermane e Futbollit ishte e para që refuzoi të nënshkruante një letër mbështetjeje për kreun aktual të FIFA-s, ndërsa më pas këtij qëndrimi iu bashkuan edhe disa federata të tjera të mëdha evropiane.

Në këtë situatë, UEFA raportohet se ka nisur kërkimet për një kandidat të fortë që mund të sfidojë Infantino-n në zgjedhjet e ardhshme. Pakënaqësitë ndaj presidentit aktual janë shtuar pas disa vendimeve të marra gjatë muajve të fundit, të cilat kanë shkaktuar reagime të forta në futbollin evropian.

Megjithatë, pavarësisht kritikave që vijnë nga Evropa, pozitat e Gianni Infantino-s mbeten të forta në arenën ndërkombëtare. Sipas disa mediave prestigjioze, ai gëzon aktualisht mbështetjen e rreth 200 prej 211 federatave anëtare të FIFA-s, çka e bën favorit të qartë për të siguruar edhe një mandat të katërt në krye të organizatës më të madhe të futbollit botëror.

Mbetet për t’u parë nëse UEFA do të arrijë të gjejë një kandidat me mbështetje të mjaftueshme për të sfiduar Infantino-n dhe për ta bërë garën presidenciale të vitit 2027 më konkurruese.




Comments are closed.