BE uron Listën Studentore: Kapitull i ri për Serbinë

26 Oct 2026 • 10:28
Shpërndaje:

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë uruar Listën Studentore për fitoren në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Serbi, duke shprehur gatishmërinë për të mbështetur reformat dhe përparimin e vendit drejt anëtarësimit.

Sipas rezultateve të para, Lista Studentore ka marrë rreth 52% të votave dhe pritet të sigurojë afërsisht 140 vende në parlament, kundrejt 38,7% të partisë së Aleksandar Vuçiçit. Pas votimit të së dielës, të shoqëruar me pjesëmarrje rekord, Vuçiç pranoi humbjen. Shifrat përfundimtare të votave dhe mandateve mbeten në pritje të konfirmimit zyrtar.

Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaruan se institucionet evropiane janë të gatshme të bashkëpunojnë për të ardhmen evropiane të Serbisë.

Reklamë Ola

“Jemi të gatshëm të mbështesim reformat në fushën e sundimit të ligjit, lirisë së mediave, luftës kundër korrupsionit dhe forcimit të institucioneve demokratike, si dhe të punojmë së bashku për realizimin e së ardhmes evropiane të Serbisë”, shkruan ata në një postim të përbashkët në X.

Edhe komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, e cilësoi rezultatin si një mundësi për një fillim të ri në marrëdhëniet mes Beogradit dhe Brukselit.

Reklamë InterMedika

“Për Serbinë mund të fillojë një kapitull i ri. Dyert e BE-së janë të hapura dhe jemi të gatshëm të ecim përpara së bashku”, deklaroi Kos në një reagim të shpërndarë nga kabineti i saj.

Ajo vlerësoi pjesëmarrjen historike të qytetarëve, pas pothuajse dy vjetësh protestash për demokraci, sundim të ligjit dhe luftë kundër korrupsionit.

“Pikërisht këto janë vlerat që qëndrojnë në zemër të Bashkimit tonë Evropian”, theksoi komisionerja.

Lista Studentore doli nga lëvizja protestuese që mobilizoi qytetarët kundër korrupsionit dhe funksionimit të institucioneve, duke u shndërruar në sfiduesen kryesore të pushtetit të Vuçiçit.

Ndërkohë, Koalicioni Shqiptar ka njoftuar sigurimin e dy mandateve dhe mbetet në garë për një të tretë. Rezultati do të zgjeronte përfaqësimin e shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë, ku më parë përfaqësoheshin vetëm nga Shaip Kamberi.