Tirana pret Forumin e Investimeve BE–Ballkani Perëndimor më 25 dhe 26 nëntor

19 Nov 2026 • 20:09
Shpërndaje:

Tirana do të mirëpresë më 25 dhe 26 nëntor edicionin e dytë të Konferencës së Investimeve BE–Ballkani Perëndimor (EU–WB6 Investment Forum), një nga aktivitetet më të rëndësishme ekonomike të vitit 2026, që do të mbledhë përfaqësues të vendeve të rajonit, institucioneve europiane, organizatave financiare ndërkombëtare dhe investitorëve të huaj.

Nën moton “Ballkani Perëndimor, kufiri i ri i investimeve europiane”, konferenca synon të promovojë potencialin ekonomik të rajonit dhe të krijojë mundësi të reja për tërheqjen e kapitaleve, zhvillimin e projekteve strategjike dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik me Bashkimin Europian.

Në forum pritet të marrin pjesë personalitete të nivelit të lartë, mes tyre Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, dhe ish-presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel.

Reklamë Ola

Pjesëmarrës do të jenë gjithashtu përfaqësues të institucioneve europiane dhe ndërkombëtare, drejtues të institucioneve financiare, përfshirë Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Bankën Botërore, si dhe përfaqësues të fondeve të investimit, kompanive startup dhe investitorë ndërkombëtarë.

Gjatë dy ditëve të konferencës do të zhvillohen shtatë sesione tematike, të përqendruara në mundësitë për shndërrimin e potencialit ekonomik të Ballkanit Perëndimor në investime konkrete, të qëndrueshme dhe afatgjata.

Reklamë InterMedika

Një nga objektivat kryesore të forumit është nxitja e integrimit më të thellë ekonomik të vendeve të rajonit në tregun europian dhe atë global, përmes forcimit të partneriteteve dhe identifikimit të projekteve me interes strategjik.

Shqipëria e organizon këtë edicion në një periudhë të rritjes së investimeve të huaja direkte. Gjatë vitit 2025, ekonomia shqiptare tërhoqi 1.64 miliardë euro investime të huaja direkte, niveli më i lartë i regjistruar deri atëherë.

Ndërkohë, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë të cituara në njoftimin për konferencën, investimet e huaja direkte mund të tejkalojnë për herë të parë kufirin e 2 miliardë eurove gjatë vitit 2026.

Organizimi i forumit lidhet edhe me përpjekjet e Shqipërisë për përshpejtimin e procesit të integrimit europian, në prag të vitit 2027, kur synohet përmbyllja e negociatave për të gjithë kapitujt.

Konferenca synon të shërbejë si një platformë konkrete për dialogun mes qeverive, institucioneve financiare dhe sektorit privat, duke nxitur investime që mbështesin zhvillimin ekonomik dhe konkurrueshmërinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Edicioni i dytë vjen pas forumit të parë të organizuar në Tiranë në vitin 2025, gjatë të cilit u prezantuan marrëveshje dhe projekte me një potencial investimi prej mbi 4 miliardë eurosh.

Në përfundim të edicionit të parë u shpreh angazhimi që konferenca të shndërrohej në një aktivitet të përvitshëm, me synimin për të forcuar rolin e Ballkanit Perëndimor si një destinacion gjithnjë e më tërheqës për investimet europiane dhe ndërkombëtare.