Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) mirëpriti sot fluturimin inaugurues të kompanisë ajrore rumune TAROM, duke shënuar nisjen zyrtare të operimeve të saj në Shqipëri dhe hapjen e një linje të re ajrore mes Tiranës dhe Rumanisë.
Linja e re do të operojë një herë në javë, çdo të mërkurë, gjatë sezonit veror, duke forcuar lidhjet ajrore mes dy vendeve dhe duke krijuar mundësi të reja për turizmin, biznesin dhe bashkëpunimin ekonomik.
Sipas TIA-s, hyrja e TAROM në aeroportin e Tiranës përfaqëson një hap të rëndësishëm në zgjerimin e rrjetit të partnerëve ajrorë dhe rritjen e aksesit drejt tregut rumun.
Autoritetet aeroportuale vlerësojnë se linja e re do të kontribuojë në sjelljen e më shumë turistëve nga Rumania në Shqipëri, duke mbështetur zhvillimin e sektorit turistik dhe promovimin e vendit si një destinacion gjithnjë e më tërheqës për vizitorët ndërkombëtarë.
Për të shënuar nisjen e bashkëpunimit, në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës u organizua një ceremoni simbolike mirëseardhjeje për ekuipazhin dhe pasagjerët e fluturimit të parë.
TIA theksoi se vijon të zgjerojë rrjetin e partneriteteve me kompani ajrore ndërkombëtare, duke forcuar rolin e saj si porta kryesore e Shqipërisë drejt Evropës dhe destinacioneve të tjera globale.


