IEA: Mbi 80% e rezervave emergjente të naftës janë hedhur në treg

03 Oct 2026 • 23:21
Shpërndaje:

Më shumë se 80% e rezervave emergjente të naftës që vendet anëtare të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë premtuan të lironin në mars janë tashmë në treg, ndërsa presionet mbi furnizimet globale mbeten të larta.

Drejtori ekzekutiv i IEA-së, Fatih Birol, bëri të ditur se rreth 325 milionë fuçi nga 400 milionë të planifikuara janë liruar deri tani. Operacioni i miratuar më 11 mars ishte më i madhi në historinë e koordinimit të rezervave emergjente nga agjencia. 

Sipas Birol, masa ka ndihmuar në mbulimin e boshllëqeve të furnizimit dhe në qetësimin e tregjeve, të goditura nga konflikti në Lindjen e Mesme. Megjithatë, tregu i produkteve të rafinuara, veçanërisht i naftës dizel, vazhdon të jetë nën presion. 

Reklamë Ola

IEA thekson se flukset e naftës së papërpunuar nga Lindja e Mesme janë rikuperuar ndjeshëm, por furnizimet me produkte të rafinuara mbeten të kufizuara. Sulmet ukrainase ndaj rafinerive ruse kanë shtuar më tej presionin mbi tregun e dizelit, duke kontribuar në çmime më të larta. 

Në këtë situatë, vendet e G7 kanë rënë dakord për një tjetër ndërhyrje të koordinuar, me lirimin e 100 milionë fuçive naftë dhe dizel nga rezervat emergjente. Plani do të zbatohet përgjatë katër muajve, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e sasive pritet të hidhet në treg që në 20 ditët e para. 

Reklamë InterMedika

Vendet e G7 janë angazhuar gjithashtu të shmangin kufizimet e eksporteve të energjisë dhe të bashkërendojnë masat për stabilizimin e furnizimeve. IEA-së i është kërkuar të ndjekë zbatimin dhe të analizojë ndikimin e ndërhyrjes në treg. 

Pas njoftimit për lirimin e rezervave, çmimet e naftës nisën të bien. Birol deklaroi se çmimi ishte ulur me rreth 5 dollarë pas vendimit, ndërsa IEA ka sinjalizuar se mund të rekomandojë masa të tjera nëse kushtet e tregut e kërkojnë.