Sulmi me vezë nga xhamia, analisti Basha: Protesta nuk justifikon përdorimin e objekteve të kultit

27 Jul 2026 20:53
Shpërndaje:

Analisti dhe eksperti i sigurisë, Faik Basha, ka reaguar pas protestës së zhvilluar në Tiranë, duke kritikuar përdorimin e objekteve të kultit dhe metodat që, sipas tij, e zhvendosin protestën nga një reagim qytetar në një strategji politike dhe propagandistike.

Në një reagim në rrjetet sociale, Basha u ndal te pamjet që, sipas tij, tregojnë se dy gra, pasi godasin me vezë automjetet që hynin në ambientet e Parlamentit, shfaqen më pas brenda ambienteve të Namazgjasë.

“Kur një xhami kthehet në strehë të një aksioni politik, nuk kemi më të bëjmë me një protestë të zakonshme”, shkroi ai.

Reklamë Ola

Sipas Bashës, xhamitë janë objekte kulti dhe nuk duhet të përdoren si baza për organizimin apo mbështetjen e aksioneve politike.

Ai renditi një sërë elementësh që, sipas tij, nuk mund të konsiderohen pjesë e një proteste demokratike, duke përmendur përdorimin e fëmijëve, personave me aftësi të kufizuara për qëllime propagandistike, përdorimin e objekteve të kultit, gjuhën fyese, sulmet ndaj Policisë së Shtetit dhe dhunën ndaj efektivëve.

Reklamë InterMedika

“Nuk mjafton që në fund të protestës t’i jepet një polici një shishe ujë ose një lule për ta quajtur protestën paqësore. Dhuna nuk fshihet pas gjesteve simbolike”, u shpreh ai.

Basha ngriti gjithashtu shqetësimin për atë që e cilësoi si ndërthurje të protestës me sulme kibernetike, narrativa të koordinuara dhe mbështetje nga aktorë të huaj, duke theksuar se çdo dyshim duhet të hetohet nga institucionet kompetente.

Sipas tij, protesta nuk duhet të gjykohet vetëm nga pjesëmarrja e qytetarëve, por edhe nga mënyra si organizohet, metodat që përdor dhe objektivat që synon.

Në përfundim, Basha theksoi se Shqipëria ka zgjedhur orientimin euroatlantik dhe se asnjë interes politik apo axhendë e huaj nuk duhet të vendoset mbi interesin kombëtar.

“Protesta është e drejtë. Dhuna nuk është. Kritika është e drejtë. Destabilizimi nuk është. Përdorimi i fëmijëve dhe i objekteve të kultit si mjete politike është i papranueshëm”, përfundoi ai.