Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria mbetet vendi i parashikuar për të pritur samitin e ardhshëm të NATO-s, por ende nuk është përcaktuar përfundimisht viti i zhvillimit të tij.
Në një prononcim për mediat gjatë mbërritjes në Samitin e 9-të të Komunitetit Politik Europian (EPC), në Dublin, Rama sqaroi se samiti nuk do të zhvillohet në vitin 2027, ndërsa Tirana do të jetë mikpritëse nëse Aleanca vendos të organizojë një samit në vitin 2028.
“Shqipëria projektohet si mikpritësja e ardhshme e Samitit të NATO-s. Nuk është arritur një qëndrim i përbashkët se kur do të zhvillohet samiti. Është e sigurt jo në 2027”, deklaroi kryeministri.
Ai hodhi poshtë raportimet dhe diskutimet që kanë ngritur pikëpyetje mbi organizimin e samitit në kryeqytetin shqiptar.
“Në 2028, nëse do të ketë një samit, do të zhvillohet në Tiranë dhe nuk ka asnjë dyshim. Gjithçka thuhet rreth saj janë të gjitha gjepura”, u shpreh Rama.
Nga viti 2027 te mundësia e organizimit në 2028
Deklarata e kryeministrit vjen pas diskutimeve mbi kalendarin e samiteve të ardhshme të Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Pas përfundimit të samitit të NATO-s në Hagë, në Holandë, ishte njoftuar se udhëheqësit e 32 vendeve anëtare kishin marrë një vendim unanim që Tirana të priste samitin e vitit 2027.
Megjithatë, sipas sqarimit të fundit të Ramës, nuk ka ende një qëndrim të përbashkët mbi datën e organizimit të takimit të ardhshëm.
Kryeministri theksoi se Shqipëria mbetet e përcaktuar si mikpritëse e samitit, duke e lidhur zhvillimin e tij në Tiranë me vendimin që NATO do të marrë për kalendarin e vitit 2028.
Për rrjedhojë, organizimi i samitit në Tiranë gjatë vitit 2028 mbetet i kushtëzuar nga zhvillimi i një takimi të tillë nga Aleanca.


