Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka theksuar rëndësinë e integrimit të Kosovës në NATO për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, gjatë pjesëmarrjes në Forumin për të Ardhmen e Atlantikut të Veriut 2026, që po zhvillohet në Oslo të Norvegjisë.
Forumi, i organizuar nga qeveritë e Mbretërisë së Bashkuar dhe Norvegjisë, ka mbledhur përfaqësues të nivelit të lartë politik, ushtarak dhe të industrisë së mbrojtjes nga vendet aleate, për të diskutuar sfidat e sigurisë euroatlantike.
Nga bordi i aeroplanmbajtëses britanike HMS Prince of Wales, ministri Nufi nënvizoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit mes aleatëve dhe ruajtjes së komunikimit strategjik ndërmjet vendeve në të dy anët e Atlantikut.
Takime me përfaqësues të Norvegjisë dhe Mbretërisë së Bashkuar
Në kuadër të forumit, Nufi zhvilloi takime me ministrin norvegjez të Mbrojtjes, Tore O. Sandvik, dhe Nënsekretarin Parlamentar të Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Lord Wood of Anfield.
Në qendër të diskutimeve ishin sfidat aktuale të sigurisë euroatlantike dhe nevoja që NATO të ruajë vëmendjen në të gjitha drejtimet e saj strategjike.
Ministri shqiptar theksoi se, krahas zhvillimeve në Veriun e Largët, Aleanca duhet të vijojë t’i kushtojë rëndësi edhe situatës së sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
“Siguria e Europës nuk përfundon në Veriun e Largët. Ballkani Perëndimor dhe veçanërisht Kosova duhet të mbeten në vëmendjen e Aleancës”, deklaroi Nufi.
“Një NATO më e fortë në Ballkan do të thotë një Europë më e sigurt”
Gjatë takimeve, ministri i Mbrojtjes mbështeti integrimin e Kosovës në NATO, duke e cilësuar atë një hap të rëndësishëm për stabilitetin rajonal dhe parandalimin e konflikteve.
“Integrimi i Kosovës në NATO është, sipas nesh, një domosdoshmëri strategjike për forcimin e stabilitetit rajonal, parandalimin e konflikteve dhe shmangien e rrezikut të hapjes së fronteve të reja të pasigurisë në Europë”, u shpreh ai.
Nufi theksoi gjithashtu se siguria euroatlantike duhet të trajtohet si një e tërë, duke argumentuar se forcimi i pranisë dhe bashkëpunimit të NATO-s në Ballkan kontribuon në sigurinë e kontinentit.
“Siguria euroatlantike është e pandashme. Dhe një NATO më e fortë në Ballkan do të thotë një Europë më e sigurt”, deklaroi ministri.
Pjesëmarrja e Shqipërisë në Forumin e Oslos është pjesë e angazhimit të vendit në diskutimet strategjike të NATO-s dhe në forcimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes kolektive.


