Sulmet e Sali Berishës ndaj ambasadorit Gonzato, reagon BE: Dënojmë fuqimisht komentet personale
Bashkimi Europian ka reaguar zyrtarisht pasi një ditë më parë kreu i PD-së, Sali Berisha, sulmoi ambasadorin e BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzaton.
Një zëdhënës i unionit iu përgjigj sulmeve personale kundër Ambasadorit të BE-së, Silvio Gonzato, në Ditën e Evropës.
BE-ja shkruan se i dënon sulmet personale, teksa shton se janë të papranueshme.
“Deklarata të tilla janë të papranueshme. BE-ja dënon fuqimisht sulmet personale të bëra në Ditën e Evropës kundër Ambasadorit të Bashkimit Evropian në Shqipëri. Ambasadori i BE-së ka vepruar në çdo kohë me profesionalizëm dhe integritet të plotë. Ne kemi besim të plotë tek ai dhe puna e tij”, thuhet në reagimin e tyre.
Me tone të ashpra Sali Berisha, e cilësoi Gonzaton si një lobist të Ramës që trillon në Bruksel për llogari të tij.
“Përsa i përket ambasadorit aktual, unë kam shprehur, ky sillet si me qenë ambasador i Edi Ramës. Mbase, ky zotëri, në mënyrë të vërtetuar, ka transmetuar në Bruksel trillimet më të pavërteta ndaj opozitës. Sikur opozita nuk është për integrimin. Për të mos treguar shumë gjëra të tjera. Dhe se kur diskutohet nga Coelho se nuk i hiqet, pse nuk i hiqet imuniteti Lubi Ballukut, shkëlqesia e tij Gonzato, thotë se ky është interpretimi shqiptar i imunitetit. Është unifikuar komplet me Edi Ramën”, tha Berisha.







