Nufi në takimin e ministrave të NATO-s: Shqipëria mbetet aleate e përkushtuar për sigurinë euro-atlantike

18 Jun 2026 16:29
Shpërndaje:

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, mori pjesë në Takimin e Ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, i zhvilluar në Bruksel, ku u diskutuan prioritetet kryesore të Aleancës për forcimin e sigurisë dhe mbrojtjes kolektive në hapësirën euro-atlantike.

Gjatë ministerialit, aleatët theksuan rëndësinë e ruajtjes së unitetit brenda NATO-s, rritjes së gatishmërisë operacionale dhe forcimit të kapaciteteve mbrojtëse përballë sfidave të reja dhe kërcënimeve në zhvillim ndaj sigurisë ndërkombëtare.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ministri Nufi vlerësoi rolin e bashkëpunimit mes vendeve aleate dhe nevojën për investime të vazhdueshme në mbrojtje.

Reklamë Ola

“Bashkëpunimi ndërmjet aleatëve, investimet në mbrojtje dhe modernizimi i kapaciteteve ushtarake janë garancia më e fortë për paqen, sigurinë dhe mbrojtjen e vlerave tona të përbashkëta”, u shpreh ai.

Nufi riafirmoi gjithashtu angazhimin e Shqipërisë në kuadër të NATO-s, duke theksuar se vendi ynë do të vijojë të japë kontributin e tij në forcimin e sigurisë kolektive.

Reklamë InterMedika

“Shqipëria do të vijojë të japë kontributin e saj të pandërprerë me përgjegjësi dhe vendosmëri në kuadër të NATO-s si një aleate e përkushtuar dhe e besueshme, duke forcuar rolin e saj si faktor stabiliteti në rajon e më gjerë”, deklaroi ministri i Mbrojtjes.

Takimi në Bruksel zhvillohet në një moment kur NATO po intensifikon përpjekjet për të rritur kapacitetet mbrojtëse dhe për t’iu përgjigjur sfidave të reja të sigurisë në mjedisin ndërkombëtar.