×
Thursday, June 18, 2026

Rutte përshëndet marrëveshjen SHBA-Iran: Trump arriti një ujdi të mirë, NATO gati të ndihmojë për sigurinë në Hormuz

June 18, 2026


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka përshëndetur nënshkrimin e memorandumit të mirëkuptimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, duke e cilësuar atë një hap pozitiv drejt uljes së tensioneve dhe forcimit të sigurisë ndërkombëtare.

Në një deklaratë për gazetarët në Bruksel, Rutte vlerësoi marrëveshjen e arritur nga presidenti amerikan Donald Trump, duke theksuar se ajo synon të kufizojë kapacitetet bërthamore dhe raketore të Iranit.

“E mirëpres vërtet marrëveshjen. Mendoj se presidenti Trump arriti një ujdi të mirë”, u shpreh Rutte.

Sipas kreut të NATO-s, memorandumi synon të reduktojë aftësitë bërthamore të Teheranit dhe të garantojë lirinë e lundrimit në rajon.

“Memorandumi synon të degradojë kapacitetet bërthamore të Iranit dhe të rikthejë lirinë e lundrimit. Kjo është ajo që ka bërë SHBA-ja, në thelb që nga fundi i shkurtit, duke u siguruar që aftësitë nukleare të Teheranit të tkurren, e po kështu edhe kapaciteti i tij i raketave balistike, i cili përbën kërcënim jo vetëm për Lindjen e Mesme, por edhe për Europën dhe pjesë të tjera të botës”, deklaroi ai.

Rutte theksoi se siguria e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit nuk është pjesë e mandatit të NATO-s, por nënvizoi se aleanca dhe vendet anëtare janë të gatshme të kontribuojnë nëse u kërkohet.

“Një rikthim i qarkullimit të lirë në Ngushticën e Hormuzit, pas një marrëveshjeje paqeje mes SHBA-së dhe Iranit, do të përbënte një hap të madh përpara. Vendet anëtare të aleancës, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën, janë të gatshme të kontribuojnë në mbështetjen e sigurisë së lundrimit në këtë zonë strategjike”, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s.

Deklaratat e Rutte vijnë në një moment kur komuniteti ndërkombëtar po ndjek nga afër zbatimin e marrëveshjes dhe negociatat e mëtejshme mbi programin bërthamor iranian, të cilat pritet të zhvillohen gjatë javëve në vijim.




Comments are closed.