×
Thursday, June 18, 2026

Pas fitores së Vetëvendosjes, sfida mbetet zgjedhja e presidentit; ekspertët paralajmërojnë rrezik për zgjedhje të reja

June 18, 2026


Fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit i ka dhënë kësaj force politike të drejtën për të nisur procesin e konstituimit të institucioneve të reja të Kosovës, por sfida kryesore mbetet sigurimi i votave të nevojshme për zgjedhjen e presidentit të vendit.

Me 53 mandate të fituara në Kuvend, Vetëvendosje mund të formojë qeverinë në bashkëpunim me deputetët e pakicave joserbe. Megjithatë, për zgjedhjen e presidentit nevojiten të paktën 80 vota, çka kërkon një marrëveshje më të gjerë politike me partitë kryesore opozitare.

Njohësi i çështjeve politike, Dritëro Arifi, vlerëson se vendi ka nevojë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që shkon përtej postit të presidentit.

“Na duhet gjithsesi një marrëveshje gjithëpërfshirëse, jo vetëm për postin e presidentit. Kjo është keqkuptuar dhe keqinterpretuar qëllimshëm nga partia në pushtet, duke u fokusuar vetëm te një pozitë”, deklaroi Arifi.

Sipas tij, mungesa e gatishmërisë për kompromis mund ta çojë Kosovën sërish drejt zgjedhjeve të reja.

“Duke i njohur lojtarët politikë dhe mënyrën se si funksionon sistemi, kam pak shpresë se mund të arrihet kompromis për këtë çështje”, shtoi ai.

Rezultati zgjedhor ka treguar gjithashtu se partitë opozitare nuk kanë numrat e nevojshëm për të krijuar shumicë pa mbështetjen e Listës Serbe, ndërsa mund të përdorin votat e tyre si kusht për pjesëmarrje në qeverisje.

“Ato mund të vendosin vetëm një kusht: pa bashkëpjesëmarrje në qeveri nuk ka vota për presidentin. Por kjo ka edhe koston e saj, që mund të jetë shkuarja në zgjedhje të reja”, theksoi Arifi.

Sipas analistëve, e ardhmja politike e Kosovës do të varet kryesisht nga gatishmëria e kryeministrit Albin Kurti dhe e Vetëvendosjes për të gjetur kompromis me forcat e tjera parlamentare.

Nga zgjedhjet e fundit, Vetëvendosje siguroi 53 mandate, Partia Demokratike e Kosovës 22, Lidhja Demokratike e Kosovës 18 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 7 mandate, ndërsa 20 vende në Kuvend janë të rezervuara për komunitetet pakicë.




Comments are closed.