Sulm rus ndaj dy autobusëve me civilë në Ukrainë, të paktën 33 të vrarë dhe 22 të plagosur

08 Oct 2026 • 20:14
Shpërndaje:

Të paktën 33 persona kanë humbur jetën dhe 22 të tjerë janë plagosur si pasojë e një sulmi rus ndaj dy autobusëve që transportonin civilë në qytetin Kramatorsk, në rajonin e Donbasit, në lindje të Ukrainës.

Sipas autoriteteve lokale ukrainase, sulmi ndodhi mëngjesin e së enjtes, ndërsa autobusët ishin duke transportuar pasagjerë në qytet.

“Në momentin e sulmit, autobusët civilë po transportonin pasagjerë. Ishin njerëz që thjesht po vazhdonin aktivitetet e tyre të përditshme”, deklaroi Këshilli Bashkiak i Kramatorskut.

Reklamë Ola

Autoritetet theksuan se qyteti, i cili ndodhet pranë vijës së frontit, është përballur vazhdimisht me bombardime dhe evakuime, duke bërë që një pjesë e madhe e popullsisë të largohet.

“Në Kramatorsk, ku kanë mbetur shumë pak banorë, çdo udhëtim brenda qytetit përbën një rrezik të përditshëm. Megjithatë, edhe automjetet civile që transportojnë pasagjerë bëhen objektiva të sulmeve ruse”, thuhet në reagimin e bashkisë.

Reklamë InterMedika

Zelensky: Numri i viktimave mund të rritet

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se ekipet mjekësore po luftojnë për të shpëtuar jetën e të plagosurve, ndërsa paralajmëroi se bilanci i viktimave mund të rëndohet.

“Disa prej personave që kanë humbur jetën ende nuk janë identifikuar për shkak të dëmtimeve të rënda. Ngushëllimet e mia për familjet dhe të afërmit e tyre”, u shpreh presidenti ukrainas.

Prokurorët ukrainas kanë nisur një hetim penal për sulmin.

Zelensky kërkoi gjithashtu një reagim të fortë ndërkombëtar, duke akuzuar Moskën se po përpiqet të shkatërrojë jetën në rajonin e Donbasit.

“Ky sulm nuk do të mbetet pa përgjigje. Rusia po përpiqet të shkatërrojë çdo formë jete në Donbas dhe një përgjigje nga bota është e domosdoshme”, deklaroi ai.

Rubio: Nuk ka perspektivë për një marrëveshje paqeje

Sulmi ndodhi në një kohë kur përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë mbeten të bllokuara.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi të enjten se aktualisht nuk duket të ketë perspektivë për arritjen e një marrëveshjeje përmes negociatave.

Sipas tij, pengesa kryesore mbetet kërkesa e Rusisë për kontrollin e plotë të rajonit të Donetskut, një kusht që Ukraina e konsideron të papranueshëm.

Moska e ka paraqitur kontrollin e Donbasit si një nga objektivat kryesore të luftës, duke pretenduar se synon mbrojtjen e popullsisë rusishtfolëse. Kievi i ka hedhur poshtë pretendimet ruse për gjenocid ndaj kësaj popullsie.

Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi më 1 tetor se Rusia do ta merrte nën kontroll Donbasin më shpejt nga sa parashikon Ukraina.

Një tjetër sulm vdekjeprurës brenda 24 orëve

Sulmi në Kramatorsk vjen vetëm një ditë pas një goditjeje me raketa ruse ndaj një ndërtese banimi në qytetin Pryluky, ku sipas raportimeve u vranë 22 persona dhe u plagosën më shumë se 50 të tjerë.

Që prej gushtit, Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj objektivave në Ukrainë, ndërsa luftimet dhe goditjet në thellësi të territoreve të të dyja vendeve kanë vijuar.

Moska nuk kishte reaguar ende për sulmin e fundit në Kramatorsk në momentin e raportimit. Autoritetet ruse kanë mohuar vazhdimisht se shënjestrojnë qëllimisht civilët ukrainas.