Ervin Demo takim me ambasadorin suedez, në fokus forcimi i policimit në komunitet dhe siguria e qytetarëve

08 Oct 2026 • 20:24
Shpërndaje:

Ministri Ervin Demo ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Suedisë në Shqipëri, Niklas Ström, ku në qendër të diskutimeve ka qenë bashkëpunimi për forcimin e policimit në komunitet dhe përmirësimin e marrëdhënieve mes qytetarëve dhe Policisë së Shtetit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Demo theksoi rëndësinë e mbështetjes suedeze për ndërtimin e një shërbimi policor më të afërt me qytetarët dhe më të përgjegjshëm ndaj shqetësimeve të tyre.

“Një polici më pranë qytetarëve, që dëgjon shqetësimet e tyre dhe reagon me profesionalizëm. Ky është qëllimi që na bashkon në bashkëpunimin me Suedinë, të cilit i kushtuam vëmendje në takimin me ambasadorin suedez, Niklas Ström”, shkroi Demo.

Reklamë Ola

Sipas tij, mbështetja e Suedisë për policimin në komunitet synon të forcojë besimin e publikut te Policia e Shtetit dhe të përmirësojë mënyrën e trajtimit të problematikave të sigurisë.

Ministri veçoi disa nga fushat ku është përqendruar ky bashkëpunim, përfshirë reagimin ndaj dhunës në familje, bashkëpunimin me institucionet arsimore dhe përfshirjen e pushtetit vendor në adresimin e shqetësimeve të komunitetit.

Reklamë InterMedika

“Mbështetja suedeze për policimin në komunitet ndihmon në forcimin e besimit mes qytetarëve dhe Policisë së Shtetit. Pjesë e rëndësishme e kësaj pune janë reagimi ndaj dhunës në familje, bashkëpunimi me shkollat dhe përfshirja e bashkive në adresimin e problemeve të sigurisë”, theksoi ai.

Në përfundim, Demo shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Suedisë, duke nënvizuar se partneriteti synon krijimin e një shërbimi policor që u përgjigjet më mirë nevojave të qytetarëve.

Takimi konfirmon vijimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Suedisë në fushën e sigurisë publike, me fokus të veçantë te policimi në komunitet dhe forcimi i besimit te institucionet ligjzbatuese.