Strategjia Kombëtare e Diasporës 2026–2030 në fokus – Hoxha: prioritet forcimi i bashkëpunimit me shqiptarët jashtë vendit
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka bërë të ditur se një nga prioritetet pas zhvillimit të Samitit IV të Diasporës është hartimi i Strategjisë Kombëtare të Diasporës 2026–2030, së bashku me planin përkatës të veprimit.
Në një postim në rrjetet sociale, Hoxha njoftoi se javën e kaluar është zhvilluar një takim me Grupin Ndërinstitucional të Punës, në kuadër të përpjekjeve për finalizimin e projektstrategjisë, e cila synon të pasqyrojë sugjerimet dhe rekomandimet e mbledhura gjatë dhe pas samitit.
Sipas ministrit, diskutimet me grupet e interesit janë të fokusuara në promovimin e investimeve, ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar, si edhe në forcimin e bashkëpunimit të strukturuar mes institucioneve shtetërore dhe komuniteteve shqiptare jashtë vendit.
Ai theksoi gjithashtu se synohet krijimi i mekanizmave efektivë për angazhimin e profesionistëve shqiptarë në diasporë, si dhe transferimi i njohurive, ekspertizës dhe inovacionit në funksion të zhvillimit të vendit.
Hoxha bëri të ditur se në javët në vijim dokumenti do të publikohet për konsultim të gjerë me qytetarët, organizatat e diasporës, ekspertët dhe grupet e tjera të interesit, me qëllim që strategjia të reflektojë nevojat dhe prioritetet e shqiptarëve kudo që jetojnë.
“Vetëm së bashku, në atdhe dhe në diasporë, si dhe në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, mund të ndërtojmë një Strategji që përcakton drejtimet kryesore të bashkëpunimit me diasporën shqiptare në planin institucional, ekonomik dhe social, edhe në funksion të objektivit madhor kombëtar, anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, u shpreh Hoxha.







