Sputnik” shtrembëron protestën në Tiranë, përplasjet nuk u shkaktuan nga vendimi për ish-krerët e UÇK-së

20 Sep 2026 12:41
Shpërndaje:

Mediumi rus “Sputnik”, në versionin e tij në gjuhën serbe, ka pretenduar se në Tiranë ndodhën “trazira” për shkak të aktgjykimit të Dhomave të Specializuara ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Artikulli i publikuar më 17 shtator mban titullin “Trazira në Tiranë për shkak të aktgjykimit ndaj udhëheqësve të të ashtuquajturës UÇK: Shqipëria doli në krah të Prishtinës”. I njëjti material u ripublikua më pas edhe nga mediumi në gjuhën serbe “Vaseljenska.net”.

Në artikull pretendohet se pranë Kuvendit të Shqipërisë pati përleshje mes policisë dhe protestuesve të mbledhur kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama dhe kundër vendimit të Gjykatës Speciale për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.

Reklamë Ola

Megjithatë, raportimet e mediave shqiptare tregojnë se protesta e 17 shtatorit ishte pjesë e një serie tubimesh antiqeveritare që kishte nisur rreth 110 ditë më parë. Kërkesa kryesore e protestuesve ishte dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe kundërshtimi ndaj klasës politike.

Sipas Reporter.al, qindra qytetarë u mblodhën pranë Kuvendit dhe Ministrisë së Brendshme, ku hodhën vezë dhe letra higjienike drejt policisë. Tensionet u përshkallëzuan pasi disa prej tyre tentuan të kalonin kordonin policor dhe gardhin metalik, ndërsa më pas një pjesë e protestuesve u drejtua drejt Kryeministrisë.

Reklamë InterMedika

Edhe BalkanWeb raportoi se protestuesit bënin thirrje kundër klasës politike dhe kërkonin dorëheqjen e Ramës. Shqiptarja.com shkroi se përplasjet nisën pasi disa pjesëmarrës tentuan të kalonin kordonin pranë Ministrisë së Brendshme dhe hodhën vezë e shishe uji drejt efektivëve.

Po atë ditë, Kuvendi i Shqipërisë miratoi një deklaratë lidhur me aktgjykimin ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Përmes saj, parlamenti shprehu mospajtim me vendimin dhe gatishmëri për të bashkërenduar veprimet me institucionet e Kosovës. Deklarata u lexua në Kuvend nga kryetari Niko Peleshi.

Miratimi i deklaratës dhe protesta jashtë Kuvendit ishin, megjithatë, dy zhvillime të ndara. Në raportimet për protestën nuk paraqitet ndonjë dëshmi se tensionet me policinë u shkaktuan nga vendimi i Dhomave të Specializuara.

Një ditë më parë, më 16 shtator, protesta e 109-të antiqeveritare përkoi me shpalljen e aktgjykimit në Hagë. Gjatë marshimit drejt Kryeministrisë, protestuesit shprehën solidaritet me ish-krerët e UÇK-së dhe brohoritën “UÇK, UÇK”, por kërkesa kryesore e tubimit mbeti dorëheqja e Ramës.

Përplasjet e 17 shtatorit ndodhën gjatë vazhdimit të protestës antiqeveritare dhe pas tentativave për të kaluar barrierat policore. Për rrjedhojë, pretendimi i “Sputnik” se tensionet në Tiranë u shkaktuan nga aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së nuk mbështetet nga raportimet e mediave shqiptare dhe bashkon në mënyrë çorientuese dy ngjarje të veçanta.