Kurti kërkon strategji shtetërore pas vendimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Do t’i mbështesim në Apel

20 Sep 2026 14:57
Shpërndaje:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar arritjen e një dakordësie për hartimin e një strategjie shtetërore në reagim ndaj vendimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në një reagim në Facebook, Kurti deklaroi se Qeveria e Kosovës do të ofrojë mbështetje me të gjitha mjetet që ka në dispozicion, me synimin për korrigjimin e vendimit në instancat e Apelit. Sipas tij, reagimi duhet të përfshijë si ndihmën për ekipet mbrojtëse, ashtu edhe angazhimin në rrafshin diplomatik.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që të ofrojë mbështetje, në çdo mënyrë dhe me të gjitha mjetet që ka në dispozicion, me qëllim korrigjimin e verdiktit të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së, i cili është i padrejtë juridikisht dhe moralisht, por edhe i pasaktë historikisht dhe faktikisht”, shkroi Kurti.

Reklamë Ola

Kryeministri theksoi se nevojitet koordinim institucional për të përcaktuar mënyrën më të përshtatshme dhe efikase të reagimit ndaj aktgjykimit.

“Duhet një dakordim mbi një strategji shtetërore për reagim sa më të përshtatshëm dhe efikas ndaj verdiktit të shkallës së parë, si në ndihmën e ekipeve në instancat e Apelit, ashtu edhe në rrafshin diplomatik”, shtoi ai.

Reklamë InterMedika

Kurti bëri të ditur se Kosova do të bashkëpunojë edhe me aleatët ndërkombëtarë për mbrojtjen e luftës çlirimtare të UÇK-së përballë, siç u shpreh ai, propagandës së Serbisë. Ai kërkoi gjithashtu intensifikimin e përpjekjeve për zbardhjen e masakrave dhe krimeve të kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë, për të cilat tha se Beogradi vazhdon të përpiqet t’i fshehë edhe 27 vjet pas përfundimit të konfliktit.

Dhomat e Specializuara dënuan në shkallën e parë Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin me gjithsej 81 vjet burgim për krime lufte. Ish-krerët e UÇK-së kanë paralajmëruar ankimimin e vendimit, ndërsa në Kosovë janë zhvilluar protesta kundër aktgjykimit të shpallur në Hagë.