Pas humbjes historike, Merz premton ndryshime rrënjësore në CDU: Pikë kthese për partinë

21 Sep 2026 16:18
Shpërndaje:

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka premtuar rishikimin e platformës politike dhe të mënyrës së vendimmarrjes në Unionin Kristian Demokrat (CDU), pas humbjes së rëndë në zgjedhjet rajonale të Mecklenburg-Pomeranisë Perëndimore.

Merz e cilësoi rezultatin si një “pikë kthese të madhe” për partinë, e cila mori më pak se 5% të votave dhe mbeti jashtë parlamentit të landit për herë të parë.

Alternativa për Gjermaninë (AfD) doli forcë e parë me rreth 38% të votave, ndërsa CDU-ja regjistroi rezultatin e saj më të dobët në një palë zgjedhje që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Reklamë Ola

“Është një rezultat dramatik dhe i paprecedentë për CDU-në. Një grup i tërë parlamentar është zhdukur nga parlamenti i landit. Pasojat e këtij rezultati do t’i ndiejmë për një kohë të gjatë”, deklaroi Merz në selinë e partisë në Berlin.

Rezultati ka shtuar presionin ndaj kancelarit dhe ka rikthyer diskutimet për një ndryshim në drejtimin e qeverisë. Zyrtarë të CDU-së kishin paralajmëruar se rënia nën pragun prej 5% do të shkaktonte një valë kritikash ndaj udhëheqjes së partisë.

Reklamë InterMedika

Megjithatë, Merz nuk ka ndërmend të largohet dhe po përpiqet të sigurojë mbështetjen e strukturave drejtuese. Ai njoftoi nisjen e konsultimeve intensive për të përcaktuar një kurs të ri dhe për ta ruajtur CDU-në si një parti që tërheq grupe të gjera dhe të ndryshme të elektoratit.

“Do të diskutojmë punën dhe strukturën e partisë, programin tonë dhe imazhin publik të CDU-së. Për të qenë të sinqertë, për shumë çështje nuk kemi më përgjigje bindëse. Këtë duhet dhe do ta ndryshojmë”, tha kancelari.

Merz kërkoi gjithashtu një bashkëpunim më të ngushtë mes qeverisë federale dhe landeve, duke paralajmëruar takime me kryeministrat rajonalë për të përcaktuar hapat që do të ndiqen gjatë javëve të ardhshme.

Sipas raportimeve të mediave gjermane, kryeministrat e landeve të drejtuara nga CDU-ja zhvilluan një takim të fshehtë në Berlin pa praninë e Merz, pas diskutimeve të zhvilluara të dielën në selinë e partisë.

Takimi shtoi dyshimet se mbështetja për kancelarin brenda CDU-së po dobësohet. Megjithatë, Merz deklaroi të hënën se vazhdon të ketë mbështetjen e plotë të drejtuesve të partisë.

Një përpjekje për ta zëvendësuar atë mund të shkaktojë zgjedhje të parakohshme në një moment kur sondazhet e nxjerrin AfD-në si forcën më të mbështetur në Gjermani. Ky rrezik pritet ta pengojë përkohësisht një revoltë të hapur brenda CDU-së, por pozicioni i Merz mund të bëhet më i brishtë nëse figurat kryesore të partisë dalin publikisht kundër tij.