Siguria në Shkolla, Lamallari: Do të aplikojmë Monitorim inteligjent
Ministri i Brendshëm ka përgëzuar Policinë e Shtetit për operacionin e zhvilluar të mërkurën, ku u arrestuan 13 persona dhe 4 të tjerë u lanë në arrest shtëpie, të dyshuar për shpërndarje të lëndëve narkotike pranë shkollave.
Në një reagim në rrjetet sociale, Lamallari e cilësoi sigurinë e nxënësve si prioritet absolut, duke theksuar se lufta kundër shpërndarjes së drogës në ambientet pranë shkollave do të vijojë pa ndërprerje.
“Siguria e shkollave dhe mbrojtja e të rinjve është një prioritet absolut dhe një betejë që nuk do ta ndalim në asnjë moment. Përgëzime Policisë së Shtetit për 17 masat e ekzekutuara në Durrës dhe goditjen e një rrjeti kriminal që tentonte të shpërndante lëndë narkotike pranë shkollave”, shkroi ministri.
Ai u ndal gjithashtu te projekti “Smart City”, duke theksuar se ky investim do të sjellë një transformim të mënyrës së garantimit të sigurisë në shkolla dhe në hapësirat përreth tyre.
“Me projektin “Smart City”, fillimisht në shkollat e Tiranës e më pas në të gjithë vendin, do të ndryshojmë tërësisht faqen e sigurisë në shkolla dhe në hapësirat publike përreth tyre, duke përdorur avantazhet teknologjike, monitorimin inteligjent dhe reagimin në kohë reale për çdo ngjarje”, u shpreh Lamallari.







