×
Wednesday, June 24, 2026

Shqipëria synon kompani shtetërore për hidrokarburet, marrëveshje me ENI

June 23, 2026


Shqipëria synon të krijojë një kompani shtetërore për hidrokarburet, e cila do të luajë një rol kyç në rregullimin e tregut dhe garantimin e sigurisë energjetike të vendit. Në këtë kuadër, është nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me kompaninë italiane ENI, e cila do të realizojë një studim të detajuar për ngritjen e kapaciteteve kombëtare në furnizimin dhe magazinimin e produkteve të naftës dhe gazit.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, kryeministri Edi Rama u shpreh se ky bashkëpunim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të pavarësisë energjetike të Shqipërisë dhe krijimit të rezervave strategjike të naftës.

Sipas Ramës, qëllimi është që vendi të ketë instrumentet e nevojshme për të garantuar furnizimin e qëndrueshëm me produkte energjetike edhe në situata krizash apo luhatjesh të forta në tregjet ndërkombëtare.

Nga ana e tij, ministri i Energjisë, Enea Karakaçi, theksoi se Shqipëria ka bërë progres në diversifikimin e burimeve energjetike dhe se ky projekt synon të ulë ekspozimin e ekonomisë shqiptare ndaj goditjeve që vijnë nga tregjet globale.

Ai nënvizoi se krijimi i kapaciteteve për magazinimin e naftës dhe gazit do të rrisë sigurinë energjetike dhe do të forcojë aftësinë e vendit për të përballuar situata të jashtëzakonshme.

Memorandumi i bashkëpunimit me ENI parashikon realizimin e studimeve të specializuara për nevojat e tregut shqiptar, analizimin e mundësive për krijimin e rezervave strategjike të hidrokarbureve, si dhe identifikimin e modeleve më të përshtatshme për ngritjen e strukturave të përbashkëta të bashkëpunimit në menaxhimin e këtyre kapaciteteve.

Autoritetet shqiptare e konsiderojnë këtë nismë si një hap strategjik për të rritur qëndrueshmërinë e sektorit energjetik dhe për të garantuar furnizim të sigurt me produkte të naftës dhe gazit në afatgjatë.




Comments are closed.