Dy kandidatë me emra të ngjashëm, padi për rezultatin e zgjedhjeve në Alaskë

24 Oct 2026 • 15:04
Shpërndaje:

Departamenti amerikan i Drejtësisë ka paraqitur një padi që kërkon ndërhyrje në certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve për Senatin në Alaskë, për shkak të pranisë në fletëvotim të dy kandidatëve me emra pothuajse identikë.

Përballë senatorit republikan Dan Sullivan kandidon edhe Daniel J. Sullivan. Padia argumenton se ngjashmëria mund të ngatërrojë votuesit dhe të ndikojë në rezultatin e garës.

Sipas saj, nëse senatori humb, certifikimi duhet të bllokohet në rast se ai do të rezultonte fitues po t’i atribuoheshin votat e kandidatit me emër të ngjashëm, në kuadër të sistemit të votimit me renditje.

Reklamë Ola

Gjykata Supreme e Alaskës kishte refuzuar më herët kërkesën për largimin e Daniel J. Sullivanit nga fletëvotimi.

Nisma ka shkaktuar kritika edhe brenda Partisë Republikane. Senatorja e Alaskës, Lisa Murkowski, deklaroi në platformën X se Departamenti i Drejtësisë nuk duhej ta kishte paraqitur padinë.

Reklamë InterMedika

Sipas saj, votuesit e Alaskës janë në gjendje të vendosin vetë se cilin kandidat mbështesin dhe emrat në fletëvotim janë dalluar qartë.

Demokratët, nga ana tjetër, e akuzuan presidentin Donald Trump se po përdor institucionet federale për të ndikuar në rezultatin zgjedhor.

Devan Barber, drejtor ekzekutiv i Komitetit Demokratik për Fushatën e Senatit, e cilësoi padinë si përpjekje për të përmbysur vullnetin e votuesve në rast të humbjes së Sullivanit.

Departamenti i Drejtësisë thotë se synon të mbrojë integritetin e zgjedhjeve dhe të garantojë që kandidatura e kontestuar të mos shtrembërojë vullnetin e qytetarëve.

Ekspertët ligjorë të cituar në raportim e kanë cilësuar padinë si të paprecedentë dhe kanë vlerësuar se gjasat për sukses në gjykatë janë të vogla.