Pentagoni i shpall Institutet Konfuci kërcënim për sigurinë kombëtare

24 Oct 2026 • 15:07
Shpërndaje:

Departamenti amerikan i Mbrojtjes i ka përfshirë Institutet Konfuci në listën e institucioneve që i konsideron kërcënim për sigurinë kombëtare, njoftoi sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth.

Qendrat kulturore dhe arsimore, të financuara nga Kina, veprojnë pranë universiteteve dhe promovojnë mësimin e gjuhës e të kulturës kineze. Uashingtoni i ka akuzuar prej kohësh si instrumente të propagandës dhe ndikimit të Pekinit.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Hegseth pretendoi se organizata të lidhura me këto institute kanë vijuar aktivitetin në universitetet amerikane, duke përdorur emërtime dhe forma të ndryshme organizimi.

Reklamë Ola

Ai foli për rreth 80 struktura në 30 universitete, të cilat i cilësoi si “celula propagande”. Sipas tij, ato synojnë vjedhjen e pronësisë intelektuale dhe ndikimin te studentët amerikanë.

Hegseth deklaroi gjithashtu se gjatë dy muajve të fundit Departamenti i Mbrojtjes ka punuar për shpërbërjen e këtyre organizatave. Ambasada kineze në Uashington nuk komentoi menjëherë mbi deklaratat.

Reklamë InterMedika

Institutet Konfuci janë të pranishme edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Kosovës, sipas një raportimi të Radio Evropës së Lirë. Kina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe nuk ka përfaqësim zyrtar në Prishtinë.

Bursat, shkëmbimet universitare dhe programet gjuhësore përbëjnë pjesë të angazhimit arsimor të Pekinit në rajon, i cili shihet edhe si një formë ndikimi të butë.

Serbia është partneri më i avancuar arsimor i Kinës në Ballkanin Perëndimor. Në vend funksionojnë tri Institute Konfuci, që mbështesin mësimin e gjuhës kineze në dhjetëra shkolla.

Bashkëpunimi arsimor mes dy vendeve është zgjeruar edhe përmes marrëveshjeve të nënshkruara në vitin 2018.