Shqipëria ka mikpritur Konferencën e 14-të të Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të vendeve anëtare të Nismës Rajonale për Bashkëpunimin në Mbrojtje (DECI), një aktivitet i rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit ushtarak dhe koordinimit rajonal përballë sfidave të sigurisë.
Konferenca u organizua nën kujdesin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe mblodhi përfaqësues të lartë ushtarakë nga vendet pjesëmarrëse në këtë nismë.
Në aktivitet morën pjesë Presidenti i Republikës dhe Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Bajram Begaj, ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerallejtënant Arben Kingji, si dhe zëvendësshefi i Shtabit të Mbrojtjes së Italisë, gjenerallejtënant Luigi Del Bene.
Të pranishëm ishin gjithashtu shefat e shtabeve të përgjithshme të Austrisë, Hungarisë, Rumanisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Sllovenisë, si dhe përfaqësues të misioneve dhe institucioneve ndërkombëtare.
Në fjalën e tij, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, theksoi se zhvillimet e fundit ndërkombëtare kanë nxjerrë në pah domosdoshmërinë e forcimit të bashkëpunimit mes vendeve europiane në fushën e mbrojtjes.
Duke iu referuar luftës në Ukrainë, kërcënimeve hibride dhe rreziqeve kibernetike, Nufi deklaroi se sfidat aktuale të sigurisë nuk mund të përballohen vetëm përmes kapaciteteve kombëtare.
“Siguria nuk mund të trajtohet më vetëm përmes përpjekjeve kombëtare. Qëndrueshmëria jonë kolektive varet nga aftësia për të bashkëpunuar, koordinuar dhe vepruar së bashku. Kjo është pikërisht vlera strategjike e Nismës për Bashkëpunimin në Mbrojtje”, u shpreh ministri.
Ai nënvizoi se bashkëpunimi rajonal duhet të shkojë përtej dialogut institucional dhe të përkthehet në rezultate konkrete në terren, përmes forcimit të ndërveprueshmërisë ushtarake, planifikimit të përbashkët dhe zhvillimit të kapaciteteve operacionale.
“Sot, ambicia jonë duhet të jetë ta çojmë këtë bashkëpunim edhe më tej. Besoj fuqimisht se duhet të shkojmë përtej dialogut dhe ta shndërrojmë mirëkuptimin tonë të përbashkët në rezultate konkrete operacionale: ndërveprueshmëri më të fortë, planifikim të koordinuar, stërvitje të përbashkëta, edukim ushtarak më efektiv dhe forca të afta për të vepruar së bashku në mjedise komplekse dhe sfiduese”, deklaroi Nufi.
Ministri u ndal edhe te kontributi i Shqipërisë në misionet ndërkombëtare të drejtuara nga NATO dhe në operacionet shumëkombëshe, duke përmendur veçanërisht pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura shqiptare në misionin KFOR në Kosovë.
Sipas tij, ky angazhim pasqyron bindjen se stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është i lidhur ngushtë me sigurinë e përgjithshme euroatlantike.
“Në këtë kuadër, Ballkani Perëndimor nuk ndodhet në periferi të sigurisë evropiane. Ai është pjesë përbërëse e saj! Për këtë arsye, ruajtja e stabilitetit, forcimi i besimit rajonal dhe avancimi i integrimit euroatlantik duhet të mbeten përparësi strategjike të përbashkëta”, theksoi ministri i Mbrojtjes.
Nufi vlerësoi gjithashtu rëndësinë e DECI-t si një mekanizëm që plotëson dhe përforcon përpjekjet e NATO-s dhe Bashkimit Europian në fushën e sigurisë, duke krijuar mundësi të reja bashkëpunimi pa mbivendosur strukturat ekzistuese.
Ai riafirmoi angazhimin e Shqipërisë për të kontribuar në mënyrë aktive në zhvillimin e kësaj nisme dhe në rritjen e gatishmërisë së Forcave të Armatosura për t’u përballur me sfidat e ardhshme.
“Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar për të kontribuar në mënyrë aktive në këtë përpjekje të përbashkët, duke thelluar ndërlidhjen operacionale dhe duke garantuar që Forcat tona të Armatosura të jenë më të përgatitura për sfidat e së nesërmes”, deklaroi Nufi.
Nisma Rajonale për Bashkëpunimin në Mbrojtje (DECI) u krijua në vitin 2013 me iniciativën e Italisë, me pjesëmarrjen fillestare të Shqipërisë, Italisë, Austrisë, Kroacisë, Sllovenisë dhe Hungarisë.
Më pas nismës iu bashkuan Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa Rumania është vendi më i ri që i bashkohet këtij mekanizmi bashkëpunimi.
DECI synon të promovojë koordinimin mes vendeve europiane që ndajnë interesa të përbashkëta në fushën e mbrojtjes, përmes zhvillimit të projekteve të përbashkëta ushtarake, pjesëmarrjes në operacione ndërkombëtare, trajnimeve dhe edukimit ushtarak.
Konferenca e zhvilluar në Shqipëri shërbeu si një mundësi për të riafirmuar angazhimin e vendeve pjesëmarrëse për forcimin e sigurisë rajonale dhe për të nxitur bashkëpunimin praktik mes forcave të tyre të armatosura, në një kohë kur mjedisi europian i sigurisë përballet me sfida gjithnjë e më komplekse.


