×
Monday, January 13, 2025

“Shqipëria po ecën përpara në mënyrë të vendosur në rrugën e saj drejt BE-së”

October 27, 2022


Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka realizuar një vizitë në Shqipëri, ndërkohë është takuar me kryeministrin e vendit, Edi Rama dhe Bajram Begaj.

Pas takimit, Rama dhe Von der Leyen mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat, ku gjatë fjalës së tij, kryeministri i Shqipërisë tha se falë qasjes së Komisionit Evropian ndaj Ballkanit Perëndimor dhe falë qasjes së presidentes së KE-së personalisht, “përsëri ne nuk jemi vetëm”.

“Nga ana tjetër, sigurisht që takimi i sotëm ka një vlerë të veçantë për shkak se presidentja na ka informuar për gjithë situatën financiare në kushtet e një lufte që bombat edhe plagët i ka në Ukrainë por pasojat e të cilës ndjehen në të gjithë Evropën, përfshirë dhe ne këtu në Shqipëri, në çmimet stratosferike të tregut të energjisë dhe në inflacionin që ka prekur gjithë tog-rreshtin”, tha Rama.

Kryeministri Rama tha se e ka informuar Von der Leyen për qasjen dhe vendosmërinë sipas tij që do të vazhdojnë të mbështesin familjet dhe biznesin e vogël për të mos e prekur çmimin e energjisë elektrike.

“Nga ana tjetër, kemi folur pak por do të takohemi përsëri më vonë, për një ngjarje të jashtëzakonshme për Shqipërinë. E para në histori në 6 dhjetor ku në Tiranë do të kemi Samitin e Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor dhe të gjithë liderët evropianë dhe të Ballkanit Perëndimor do të vijnë në Tiranë për këtë samit”, u shpreh Rama.

Presidentja e KE-së: Shqipëria vërtetë po ecën përpara në mënyrë të vendosur në rrugën e saj drejt BE-së,

Presidentja e KE-së, duke folur për fillimin e negociatave anëtarësimit me Bashkimin Evropian, tha se është rezultati i shumë viteve “plot me përpjekje, me punë të madhe që ka bërë Shqipëria dhe qytetarët e Shqipërisë”.

“Ju keni treguar përherë përkushtimin tuaj ndaj vlerave të BE-së dhe ligjësimi juaj i plotë me përgjigjen e BE-së ndaj luftës brutale dhe agresore të Rusisë kundër Ukrainës, dhe më duhet të them që është shembullore të shohim që Shqipëria në formë aktive ka mbrojtur rendin ndërkombëtar të bazuar te rregullat në Këshillin e Sigurisë së OKB-së”, tha ajo, duke iu drejtuar kryeministrit Rama.

Von der Leyen theksoi se Shqipëria vërtetë po ecën përpara në mënyrë të vendosur në rrugën e saj drejt BE-së, duke shtuar se raporti fundit që është publikuar kohët e fundit “ka treguar të gjithë përparimin që po bën Shqipëria”.

“Po propozojmë një paketë mbështetëse për energjinë për Ballkanin Perëndimor, të njëjtën gjë po bëjmë edhe në BE duke përfshirë së pari mbështetje të drejtpërdrejtë buxhetore për të ndihmuar mos vuajtjen e ndikimit që kanë çmimet e larta e energjisë tek familjet qytetarë, bizneset”, tha ajo.

Ndërkohë, Von der Leyen është takuar edhe me Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe vizitoi kantierin e ndërtimit të linjës hekurudhore Tiranë-Durrës, të bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian (BE).




Comments are closed.