Shqipëria pjesë e përpjekjeve për stabilizimin e Gazës, Hoxha: Të përmirësojmë jetën e qytetarëve

24 Sep 2026 • 11:21
Shpërndaje:

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë në Nju Jork në takimin informues të Bordit të Paqes, së bashku me Komitetin Kombëtar për Administrimin e Gazës dhe Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë.

Në qendër të takimit ishin përpjekjet ndërkombëtare për përballimin e situatës në Gaza, nga nevojat e menjëhershme humanitare te siguria, stabiliteti dhe rindërtimi i territorit.

Hoxha theksoi se Shqipëria po mbështet aktivisht këto përpjekje, përfshirë përmes angazhimit të saj në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF), në përputhje me Rezolutën 2803 (2025) të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe planin 20-pikësh të presidentit amerikan Donald Trump.

Reklamë Ola

“Ne mbetemi të përkushtuar për të punuar ngushtë me partnerët tanë për t’i përkthyer këto angazhime në përmirësime të prekshme në jetët e njerëzve të Gazës, duke ndihmuar në krijimin e kushteve për një të ardhme më të sigurt, të qëndrueshme dhe të begatë për të gjithë”, deklaroi Hoxha.

Rezoluta 2803, e miratuar nga Këshilli i Sigurimit në nëntor 2025, autorizoi krijimin e një force të përkohshme ndërkombëtare në Gaza. Mandati i saj përfshin mbështetjen për stabilizimin e situatës së sigurisë, mbrojtjen e civilëve dhe operacioneve humanitare, si dhe mbështetjen e forcave të verifikuara të policisë palestineze.

Reklamë InterMedika

Sipas raportit të Bordit të Paqes drejtuar Këshillit të Sigurimit, Shqipëria, Indonezia, Kazakistani, Kosova dhe Maroku nënshkruan në shkurt 2026 deklaratën e vendeve themeluese kontribuuese në ISF, duke shprehur synimin për të kontribuar me trupa në këtë forcë.

Përpjekjet ndërkombëtare synojnë paralelisht plotësimin e nevojave humanitare dhe krijimin e kushteve për rimëkëmbjen ekonomike dhe rindërtimin afatgjatë të Gazës.