×
Sunday, May 17, 2026

Shqipëria përthith 49 milionë euro nga fondet e BE, Haçkaj: Performanca më e mirë në rajon

May 16, 2026


Shqipëria ka arritur të disbursojë rreth 49 milionë euro nga fondet e Bashkimit Europian, pjesë e paketës prej 200 milionë eurosh të dedikuara për vendet e rajonit, duke shënuar progres të rëndësishëm në zbatimin e reformave prioritare.

Sipas të dhënave zyrtare, kjo shumë përfaqëson rreth 25% të detyrimeve të përmbushura në kuadër të axhendës së reformave që lidhen me procesin e integrimit europian. Ekspertët e fushës e vlerësojnë këtë si një performancë pozitive, që e rendit Shqipërinë ndër vendet me ecurinë më të mirë në rajon.

Një pjesë e konsiderueshme e fondeve të përfituara lidhet me përmirësimin e klimës së biznesit, fushë në të cilën është arritur progres i dukshëm në raport me objektivat e vendosura. Paralelisht, janë ndërmarrë hapa konkretë edhe në zhvillimin e kapitalit njerëzor, transformimin dixhital, tranzicionin energjetik dhe forcimin e sundimit të ligjit.

Reformat e realizuara lidhen ngushtë edhe me kapitujt e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, duke ndikuar drejtpërdrejt në përmbushjen e kritereve dhe avancimin e procesit të integrimit. Aktualisht, institucionet shqiptare janë në fazën e diskutimit të piketave të ndërmjetme, ndërkohë që puna po vijon edhe për përmbushjen e kushteve përfundimtare.

Agjenda e reformave konsiderohet një instrument i rëndësishëm që jo vetëm mbështet përfitimin e fondeve, por edhe përshpejton procesin e përafrimit të vendit me standardet e Bashkimit Europian.




Comments are closed.