Shqipëria po përgatitet për detyrimet financiare që do të ketë pas anëtarësimit në Bashkimin Europian, përmes krijimit të një instrumenti të ri që do të mundësojë llogaritjen dhe transferimin e kontributit kombëtar në buxhetin e BE-së.
Projektligji i hedhur në konsultim publik parashikon krijimin e “Kontributit Kombëtar të Shqipërisë në buxhetin e Bashkimit Europian”, i cili do të bëhet funksional nga data kur Shqipëria të fitojë statusin e vendit anëtar.
Nisma synon ngritjen e kapaciteteve dhe krijimin e një sistemi kombëtar për administrimin, përllogaritjen, raportimin dhe vënien në dispozicion të të ashtuquajturave Burime të Veta të Bashkimit Europian.
Kontributi kombëtar do të përbëhet nga disa burime. Mes tyre janë të ardhurat që rrjedhin nga detyrimet doganore të Tarifës së Përbashkët Doganore dhe detyrime të tjera të vendosura nga institucionet e BE-së për tregtinë me vendet e treta.
Në përllogaritjen e tij do të përfshihen gjithashtu burimi i bazuar në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, si dhe ai që lidhet me të ardhurat kombëtare bruto.
Projektligji parashikon edhe hapjen e një llogarie të posaçme bankare për kontributin kombëtar. Llogaria do të jetë në pronësi të Republikës së Shqipërisë dhe do të administrohet pranë Bankës së Shqipërisë nga Ministria e Financave. Në të do të arkëtohen fondet dhe do të kryhen transferimet përkatëse drejt buxhetit të Bashkimit Europian.
Ministria e Financave do të ketë rolin e autoritetit koordinues dhe do të jetë përgjegjëse për llogaritjen e vlerës së kontributit që Shqipëria duhet të paguajë në buxhetin europian.
Parashikohet gjithashtu ngritja e Komitetit Kombëtar për Kontributin Kombëtar në BE, i cili do të drejtohet nga ministri i Financave. Pjesë e tij do të jenë edhe përfaqësues të institucioneve të tjera përgjegjëse, përfshirë strukturat e mjedisit.
Këto të fundit do të kenë rol edhe në mbledhjen e të dhënave për mbetjet e paketimit plastik që nuk riciklohen, të cilat do të përdoren në kuadër të detyrimeve financiare ndaj BE-së.
Një tjetër element i projektligjit është krijimi i bazës ligjore për një sistem të unifikuar të të dhënave, me qëllim garantimin e saktësisë, integritetit, gjurmueshmërisë dhe dokumentimit të informacionit që përdoret për përllogaritjen e kontributit.
“Miratimi i projektligjit pritet të ketë ndikim pozitiv në forcimin e kapaciteteve institucionale të administratës publike, në përmirësimin e koordinimit ndërinstitucional, në rritjen e cilësisë dhe besueshmërisë së të dhënave zyrtare, si dhe në garantimin e përmbushjes së detyrimeve që rrjedhin nga legjislacioni i Bashkimit Europian në fushën e Burimeve të Veta”, thuhet në relacionin e projektligjit.
Procesi i përllogaritjes dhe raportimi periodik i kontributit të Shqipërisë do t’i nënshtrohen auditimit dhe kontrollit edhe nga institucionet e Bashkimit Europian, përfshirë Komisionin Europian dhe Eurostat.
Projektligji parashikon gjithashtu përgjegjësi në rast të mosrespektimit të afateve apo shkeljeve gjatë procesit. Në varësi të rastit, institucionet dhe personat përgjegjës mund të përballen me përgjegjësi administrative, disiplinore, civile ose penale.


