Shqipëria ngjitet në vendin e 75-të global për startup-et, rritja ndër më të lartat në Evropë
Shqipëria ka shënuar një përparim të ndjeshëm në ekosistemin e startup-eve, duke u renditur në vendin e 75-të në botë sipas Raportit Global të Ekosistemit të Startup-eve 2026 të StartupBlink, me një rritje vjetore prej +71.1%.
Sipas raportit, vendi është ngjitur me tetë pozicione në renditjen globale, duke regjistruar një nga kërcimet më të mëdha në Evropë dhe të tretin më të madh në nivel botëror. Ky zhvillim e rikthen Shqipërinë në mesin e 80 vendeve më të mira globalisht për ekosistemin e startup-eve.
Në nivel evropian, Shqipëria renditet si ekosistemi i katërt me rritjen më të shpejtë, duke u pozicionuar mes vendeve me dinamikë të fortë inovative dhe potencial të lartë zhvillimi.
Ministrja e Ekonomisë,, e cilësoi këtë rezultat si një konfirmim të qartë të efektit të reformave të ndërmarra në sektorin e inovacionit dhe sipërmarrjes.
“Sot Shqipëria është një histori e ndryshme nga ajo që ishte një vit më parë. Renditja e 4-ët më në rritje në Evropë është konfirmim ndërkombëtar se strategjia jonë po funksionon: investim publik, reforma të thella, dhe besim te sipërmarrësit tanë. Ekosistemi shqiptar i inovacionit dhe startup-eve po shndërrohet në një motor real të ekonomisë. Po ndërtojmë një Shqipëri ku talentit i ofrohet mundësia, kapitali vjen, dhe inovacioni akseleron rritjen ekonomike”, u shpreh ajo.
Përmirësimi i ndjeshëm vjen pas një sërë masash të ndërmarra gjatë dy viteve të fundit, përfshirë krijimin e Agjencisë Startup Albania dhe konsolidimin e politikave të inovacionit nën Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit.
Cikli i fundit i skemës së granteve për vitin 2026 tërhoqi 1,179 aplikime nga startup-e dhe 40 institucione mbështetëse, me një pjesëmarrje rekord prej 40.6% të sipërmarrjeve të udhëhequra nga gra dhe vajza.
Raporti thekson gjithashtu se Shqipëria renditet në vendin e 60-të nga 125 vende në Indeksin e Mjedisit të Biznesit për Inovatorët, duke treguar se kushtet bazë të biznesit janë më të forta se performanca aktuale, çka sinjalizon potencial të mëtejshëm rritjeje në vitet në vijim.
Tirana mbetet i vetmi qytet shqiptar i përfshirë në renditje, ndërsa zhvillimi i qendrave të reja të startup-eve jashtë kryeqytetit identifikohet si një prioritet kyç për fazën e ardhshme.
Raporti Global i Ekosistemit të Startup-eve 2026 i StartupBlink përfshin 1,000 qytete dhe 125 vende, duke i renditur ato sipas forcës së ekosistemit bazuar në tregues të sasisë, cilësisë dhe mjedisit të biznesit.







