Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka konfirmuar se Samiti i NATO-s do të zhvillohet në Tiranë, duke hedhur poshtë pretendimet se organizimi i tij mund të anulohet për arsye sigurie. Megjithatë, ai la të hapur mundësinë e shtyrjes së samitit për vitin 2028.
Në një intervistë për Klan News, Nufi foli për përgatitjet e Shqipërisë për të mirëpritur takimin e Aleancës Veriatlantike, modernizimin e Forcave të Armatosura dhe kapacitetet mbrojtëse të vendit.
“Nuk është e vërtetë që të mos mbahet Samiti i NATO-s në Tiranë për arsye sigurie. Do të mbahet Samiti, patjetër. Mund të shtyhet dhe, siç duket, do të shtyhet më 2028, por do të zhvillohet në kryeqytetin shqiptar. Rregullat se njëherë në sa vjet mbahet Samiti vendosen nga NATO”, deklaroi ministri.
Duke u ndalur te financimi i sektorit të mbrojtjes, Nufi theksoi se Shqipëria ka në dispozicion një buxhet historik, ndërsa investimet do të përqendrohen kryesisht në modernizimin e ushtrisë dhe forcimin e kapaciteteve operacionale.
Sipas tij, ndër prioritetet kryesore janë pajisja e Forcave të Armatosura me dronë, zhvillimi i flotës së helikopterëve dhe përmirësimi i kapaciteteve të njësive dhe komandave ushtarake.
“Ne kemi buxhetin më të madh historik, 10 miliardë euro. Ky është buxheti më i madh i Ministrisë së Mbrojtjes, ku pjesa më e madhe shkon për modernizimin e ushtrisë shqiptare. Bëhet fjalë për dronë dhe flotë helikopterësh, kapacitete ushtarake që lidhen me forcat dhe komandat e ushtrisë”, u shpreh Nufi.
Ministri komentoi gjithashtu gatishmërinë e Shqipërisë për t’u përballur me kërcënime të mundshme ushtarake, duke theksuar se vendi disponon kapacitete mbrojtëse në përputhje me angazhimet e tij si anëtar i NATO-s.
“Nuk është e vërtetë që ne nuk bëjmë asgjë. Ne kemi kapacitete ushtarake për të parandaluar avancimin e forcave armike apo kundërshtare në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe janë në përputhje me Aleancën e NATO-s”, deklaroi ai.
Nufi pranoi se forcimi i mëtejshëm i mbrojtjes kërkon investime shtesë, por theksoi se shpërndarja e fondeve publike duhet të marrë parasysh edhe nevojat e sektorëve të tjerë, përfshirë arsimin.
Një tjetër çështje e trajtuar gjatë intervistës ishte angazhimi i Forcave të Armatosura në përballimin e emergjencave civile, veçanërisht në operacionet për shuarjen e zjarreve.
Ministri vlerësoi punën e efektivëve, duke theksuar se ndërhyrjet në situata emergjente janë vetëm një pjesë e misionit të ushtrisë shqiptare.
“Forcat e Armatosura janë krenari për vendin. FA kanë bërë edhe punën e fikjes së zjarreve, por kanë edhe shumë punë të tjera. Kanë kryer fikje zjarri, duke iu shërbyer qytetarëve dhe duke i ndihmuar ata me operacione nga toka dhe nga ajri”, u shpreh Nufi.
Deklaratat e ministrit vijnë në kuadër të diskutimeve për rritjen e investimeve në mbrojtje, modernizimin e ushtrisë dhe përgatitjet për organizimin e Samitit të NATO-s në kryeqytetin shqiptar.


