Jorna nga Tirana: Koha për të investuar në Ballkanin Perëndimor është tani

25 Nov 2026 • 14:11
Shpërndaje:

Drejtorja e Përgjithshme e DG GROW në Komisionin Evropian, Kerstin Jorna, deklaroi sot se Ballkani Perëndimor përfaqëson një mundësi strategjike për investimet dhe rritjen ekonomike të Evropës, duke theksuar rëndësinë e integrimit gradual të rajonit në tregun e përbashkët të Bashkimit Evropian.

Gjatë fjalës së saj në Konferencën e Investimeve BE–Ballkani Perëndimor, që po zhvillohet në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, Jorna u bëri thirrje investitorëve ndërkombëtarë të shfrytëzojnë potencialin ekonomik të rajonit.

“Ne duam që paratë tuaja të punojnë këtu, në Shqipëri. Koha për të investuar në Ballkanin Perëndimor është tani”, u shpreh Jorna.

Reklamë Ola

Duke iu referuar sfidave të ekonomisë globale, ajo nënvizoi nevojën e Bashkimit Evropian për zinxhirë furnizimi më të fuqishëm dhe tregje të integruara, duke e cilësuar zgjerimin e BE-së një zgjedhje strategjike në interes të përbashkët të vendeve anëtare dhe atyre kandidate.

Jorna solli në vëmendje përvojën e zgjerimit të vitit 2004, duke deklaruar se ekonomia e BE-së është rritur me 27% që prej asaj kohe, ndërsa vendet që janë anëtarësuar në Bashkimin Evropian që nga viti 2000 janë bërë rreth një të tretën më të pasura krahasuar me periudhën përpara anëtarësimit.

Reklamë InterMedika

“Bashkimi Evropian është partneri juaj tregtar, investitori juaj dhe asistenti juaj financiar”, deklaroi ajo, duke bërë të ditur se tregtia me Ballkanin Perëndimor u rrit me 5% në vitin 2025, ndërsa investimet e drejtpërdrejta të BE-së në rajon arritën në rreth 40 miliardë euro deri në vitin 2024.

Drejtorja e Përgjithshme e DG GROW theksoi gjithashtu rëndësinë e aksesit të bizneseve në kapital, energji, teknologji dhe tregje, si parakushte për rritjen e konkurrueshmërisë dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

“Qeveritë bëjnë reforma, por jeni ju, bizneset, që i ktheni këto reforma në vende pune dhe në mundësi konkrete”, u shpreh Jorna.

Duke përdorur shprehjen shqipe “avash-avash”, ajo shpjegoi se integrimi gradual në tregun evropian nuk nënkupton ecje të ngadaltë, por përparim të qëndrueshëm, hap pas hapi, standard pas standardi dhe sektor pas sektori.

Sipas saj, Komisioni Evropian po punon për lehtësimin e tregtisë dhe përafrimin e rregullave, me synim që produktet e certifikuara sipas standardeve evropiane të mund të hyjnë në tregun e BE-së pa procedura dhe kontrolle të përsëritura.

Jorna vuri theksin edhe te ndërtimi i një hapësire të përbashkët industriale evropiane, përfshirja e ndërmarrjeve të Ballkanit Perëndimor në zinxhirët e furnizimit dhe krijimi i partneriteteve të reja përmes takimeve të drejtpërdrejta ndërmjet bizneseve.

“Kufijtë nuk janë aty ku mbaron Evropa, por aty ku rritet Evropa”, deklaroi Jorna në përfundim të fjalës së saj.

Konferenca e Investimeve BE–Ballkani Perëndimor, e cila zhvillohet më 25 dhe 26 nëntor në Tiranë, mbledh mbi 600 pjesëmarrës, me synim nxitjen e investimeve, forcimin e konkurrueshmërisë dhe përshpejtimin e integrimit ekonomik të rajonit në Bashkimin Evropian.