Koreja e Veriut mbyll përfaqësinë diplomatike të Zvicrës dhe dëbon diplomatin zviceran

25 Nov 2026 • 14:03
Shpërndaje:

Koreja e Veriut ka urdhëruar mbylljen e zyrës diplomatike të Zvicrës në Phenian dhe largimin e diplomatit zviceran Sylvain Astier nga vendi brenda 48 orëve, raportuan sot mediat shtetërore koreanoveriore.

Ministria e Jashtme e Koresë së Veriut e ka shpallur diplomatin zviceran “persona non grata”, në përgjigje të sanksioneve të vendosura nga Zvicra ndaj një kampi për fëmijë në Songdowon.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve KCNA, autoritetet në Phenian i konsiderojnë sanksionet zvicerane një shkelje të të drejtave sovrane të vendit dhe të interesave të qytetarëve të tij.

Reklamë Ola

Nga ana tjetër, Zvicra ka argumentuar se masat janë ndërmarrë për shkak të përfshirjes së dyshuar të kampit në transferimin dhe indoktrinimin e fëmijëve nga territoret ukrainase të pushtuara nga Rusia.

Vendimi i Phenianit vjen vetëm pak javë pasi ministri i Jashtëm zviceran, Ignazio Cassis, rihapi zyrtarisht përfaqësinë diplomatike në tetor, pas një periudhe të gjatë mbylljeje për shkak të pandemisë së COVID-19.

Reklamë InterMedika

Zyra diplomatike zvicerane në Phenian funksionon në varësi të ambasadës së Zvicrës në Pekin.

Mbyllja e saj shënon një përkeqësim të marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve, ndërsa prania diplomatike evropiane në Korenë e Veriut mbetet e kufizuar. Mes vendeve evropiane që mbajnë përfaqësi në Phenian janë Suedia, Polonia dhe Çekia.