Shqipëria ndalon importin e mishit nga Brazili pas 20 vitesh, AKU: Nga 3 shtatori nuk do të ketë porosi të reja

25 Aug 2026 19:55
Shpërndaje:

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka njoftuar se nga 3 shtatori 2026 do të ndërpriten importet e reja të mishit të shpendëve dhe të gjedhit nga Brazili, pas ndryshimeve në rregullat e Bashkimit Evropian për produktet me origjinë shtazore.

Sipas AKU-së, Brazili është hequr nga lista e vendeve të treta ose rajoneve të autorizuara për hyrjen në Bashkimin Evropian të kategorive të caktuara të kafshëve dhe produkteve me origjinë shtazore të destinuara për konsum njerëzor.

Ndryshimi lidhet me Rregulloren Zbatuese të Komisionit (BE) 2026/1189, e cila ndryshon Rregulloren (BE) 2021/405. Në bazë të këtyre ndryshimeve dhe të rregullave që zbatohen në Shqipëri, importimi i produkteve përkatëse nga Brazili kushtëzohet nga miratimi i zonave dhe stabilimenteve të prodhimit nga Bashkimi Evropian.

Reklamë Ola

AKU sqaron megjithatë se masa nuk prek ngarkesat që janë nisur sipas kushteve të mëparshme. Mishi i shpendëve dhe i gjedhit me origjinë nga Brazili, për të cilin certifikata zyrtare shëndetësore veterinare është nënshkruar ose lëshuar përpara 3 shtatorit 2026, do të vazhdojë të pranohet në pikat e kontrollit kufitar, edhe nëse mbërrin në Shqipëri pas kësaj date.

Sqarimi është dhënë pas një takimi të zhvilluar më 28 maj në Bruksel mes përfaqësuesve të UECBV-së dhe DG SANTE, ku Komisioni Evropian bëri të ditur se kërkesat e reja nuk do të zbatohen për eksportet nga vendet e treta të kryera përpara hyrjes në fuqi të ndryshimeve.

Reklamë InterMedika

Kjo do të thotë se pas 3 shtatorit nuk do të ketë porosi të reja të mishit të shpendëve dhe gjedhit nga Brazili, deri në momentin kur Bashkimi Evropian të miratojë sërish zonat dhe stabilimentet përkatëse për eksport.

Ndalimi shënon një ndryshim të rëndësishëm për tregun shqiptar të mishit. Prej vitit 2006, Brazili ka qenë një nga furnizuesit kryesorë të Shqipërisë me mish, ndërsa produktet braziliane kanë përbërë një burim të rëndësishëm edhe për industrinë vendase të përpunimit.

AKU thekson se do të vijojë monitorimin dhe zbatimin e legjislacionit në fuqi, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik.