Shqipëria pritet të shënojë sot një tjetër hap në procesin e integrimit europian, me mbylljen e përkohshme të një kapitulli të ri të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Në Luksemburg do të zhvillohet Konferenca e 10-të Ndërqeveritare Shqipëri–BE, gjatë së cilës pritet të formalizohet mbyllja e negociatave për Kapitullin 20, “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale”.
Me përfundimin e kësaj procedure, numri i kapitujve të mbyllur përkohësisht nga Shqipëria do të arrijë në katër, ndërsa qeveria synon përmbylljen e negociatave të anëtarësimit brenda vitit 2027.
Kapitulli 20 përfshin politikat për zhvillimin e sipërmarrjes dhe industrisë, mbështetjen e bizneseve, nxitjen e inovacionit dhe përmirësimin e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare.
Sipas agjendës, në orën 16:50 është parashikuar fotografia e përbashkët e kryeministrit Edi Rama, komisioneres europiane për Zgjerimin, Marta Kos, dhe ministrit irlandez Thomas Byrne.
Konferenca Ndërqeveritare do të nisë zyrtarisht në orën 17:00, me miratimin e agjendës dhe vijimin e punimeve.
Takimi pritet të përfundojë në orën 17:45, pas së cilës Rama, Kos dhe Byrne do të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp.
Mbyllja e përkohshme e Kapitullit 20 do të përbënte një tjetër zhvillim në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së, megjithëse procesi i anëtarësimit kërkon përmbushjen e mëtejshme të detyrimeve dhe përfundimin e negociatave për kapitujt e mbetur.


