Shqipëria pritet të mbyllë sot përkohësisht Kapitullin 20 të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian, në kuadër të Konferencës së 10-të Ndërqeveritare që do të zhvillohet në Luksemburg.
Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar këtë zhvillim si një tjetër hap përpara në procesin e integrimit europian të vendit.
“Mirëmëngjes dhe me lajmin se sot në Luksemburg, Shqipëria hedh një tjetër hap drejt Bashkimit Europian, duke mbyllur Kapitullin 20 në Konferencën e 10-të të negociatave të Anëtarësimit në BE, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama në një postim në rrjetet sociale.
Kapitulli 20, “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale”, përfshin politikat për zhvillimin e sipërmarrjes, mbështetjen e bizneseve, inovacionin dhe rritjen e konkurrueshmërisë.
Me formalizimin e mbylljes së këtij kapitulli, Shqipëria do të ketë katër kapituj negociues të mbyllur përkohësisht.
Konferenca e sotme përbën një tjetër etapë në procesin e përafrimit të politikave shqiptare me ato të Bashkimit Europian, ndërsa qeveria synon përfundimin e negociatave të anëtarësimit brenda vitit 2027.
Mbyllja e përkohshme e kapitujve nuk nënkupton përfundimin e procesit të anëtarësimit, pasi Shqipëria duhet të vijojë përmbushjen e kritereve dhe detyrimeve të përcaktuara nga BE-ja.


