Shqipëria firmos marrëveshje 20-vjeçare për LNG me SHBA dhe Greqinë, Karakaçi: vendi kthehet në portë strategjike energjetike në Ballkan
Shqipëria ka firmosur një marrëveshje strategjike 20-vjeçare në fushën e energjisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerë nga Greqia, që synon furnizimin me gaz natyror të lëngshëm (LNG) dhe forcimin e sigurisë energjetike në rajon.
Marrëveshja, me vlerë rreth 6 miliardë dollarë, u nënshkrua mes kompanive Venture Global, Aktor LNG dhe Shqipërisë, dhe konsiderohet si një nga projektet më të rëndësishme energjetike për vendin.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, deklaroi se ky bashkëpunim është një hap kyç drejt transformimit të sistemit energjetik shqiptar dhe diversifikimit të burimeve.
“Siguria energjetike ka lëvizur dhe është në krye të agjendës sonë kombëtare. Për Shqipërinë do të thotë të ndërmarrim hapa konkretë për të ndërtuar një sistem të qëndrueshëm dhe të orientuar nga e ardhmja. Në këtë kontekst Shqipëria po transformon sistemin e saj energjetik”, u shpreh ai.
Sipas tij, projekti përfshin rijetëzimin e impiantit të Vlorës, zhvillimin e kapaciteteve të reja energjetike dhe ndërtimin e infrastrukturës së transmetimit të gazit Fier–Vlorë.
Karakaçi theksoi gjithashtu se Shqipëria po pozicionohet si një nyje e rëndësishme energjetike në Ballkan, duke u kthyer në një portë strategjike për importin dhe shpërndarjen e gazit në rajon.







