Sistemi i drejtësisë parashikohet të financohet me 29.95 miliardë lekë në vitin 2027, një fond që ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, e cilësoi si më të lartin deri më tani. Gjatë prezantimit në Komisionin e Ligjeve, ai tha se financimi synon të përmirësojë aksesin e qytetarëve në drejtësi, të ulë stokun e çështjeve gjyqësore dhe të mbështesë rehabilitimin e të miturve e riintegrimin e të dënuarve.
“Një e drejtë që ekziston në ligj, por nuk arrin te njeriu, mbetet një premtim në letër”, u shpreh Gogu para deputetëve.
Nga fondi i përgjithshëm, Ministrisë së Drejtësisë dhe institucioneve të saj të varësisë u janë parashikuar 15.7 miliardë lekë, me një rritje prej 1.2% krahasuar me vitin 2026. Investimet e ministrisë do të jenë 1.23 miliardë lekë, ose 517 milionë lekë më pak se këtë vit, ndërsa parashikohet punësimi i mbi 160 punonjësve të rinj. Sipas ministrit, investimet financohen tërësisht nga buxheti i shtetit.
Gogu deklaroi se financimi për sistemin garanton pagat më të larta në rajon për magjistratët dhe mbështet shtimin e numrit të tyre dhe të stafit ndihmës, me qëllim përshpejtimin e shqyrtimit të çështjeve të prapambetura.
Ai bëri të ditur se vijon projektimi i Polit të Drejtësisë në Tiranë, ku parashikohet të vendosen gjykatat, prokuroritë dhe Avokatura e Shtetit. Parcela për ndërtimin e kompleksit është përcaktuar tashmë.
Një nga masat e prezantuara është zgjerimi i rrjetit të Ndihmës Juridike Falas me 10 zyra të reja. Pesë prej tyre pritet të hapen në dhjetor të këtij viti në Kamëz, Krujë, Librazhd, Bulqizë dhe Rrëshen. Pesë të tjerat parashikohen gjatë vitit 2027 në Divjakë, Mallakastër, Gramsh, Devoll dhe Malësi të Madhe.
Sipas Gogut, mbështetja për përfituesit nuk kufizohet vetëm te sigurimi i një avokati falas, por përfshin edhe lehtësimin e kostove për analiza, ekspertiza topografike dhe shpenzime përmbarimore. Ministri tha gjithashtu se qytetarëve nuk do t’u kërkohet më të paraqesin gjashtë dokumente, pasi ato do të sigurohen nga punonjësi i ndihmës juridike përmes platformës e-Albania.
Për drejtësinë për të miturit, në vitin 2027 parashikohet vënia në funksion e qendrës së Mëzezit për edukimin dhe rehabilitimin e fëmijëve në konflikt me ligjin. Qendra do të shërbejë edhe për trajnimin e rreth 500 profesionistëve çdo vit nga e gjithë Shqipëria.
“Një dosje penale përshkruan një ngjarje. Nuk përshkruan gjithë të ardhmen e një fëmije”, theksoi ministri.
Buxheti i Shërbimit të Provës parashikohet të rritet me 66%, nga 255 milionë në 424 milionë lekë. Gogu shpjegoi se shërbimi do të zgjerojë veprimtarinë përtej mbikëqyrjes, duke ndjekur nevojat individuale të të dënuarve për trajnim profesional, mbështetje psikosociale, punësim dhe strehim.
Nga kjo qasje pritet të përfitojnë mbi 1,000 të dënuar, ndërsa sistemi i mbikëqyrjes elektronike parashikohet të funksionojë nga muaji mars.
Një tjetër investim është spitali për personat me masë mjekimi të detyruar në Shën Koll të Lezhës. Nisja e ndërtimit parashikohet në janar, ndërsa për vitin 2027 janë planifikuar 250 milionë lekë. Sipas Gogut, projekti synon t’u japë përgjigje shqetësimeve të ngritura që prej vitit 2000 nga Komiteti për Parandalimin e Torturës i Këshillit të Europës.
Në fushën e pronave, Agjencia e Trajtimit të Pronave synon të kompensojë gjatë vitit 2027 edhe 2,366 familjet që presin pagesat për pronat e prekura nga ndërtimet informale. Ministri tha se përmbushja e këtij objektivi do të mbyllte një proces të nisur në vitin 2008.
Gogu i përmblodhi përparësitë e buxhetit në pesë drejtime: aksesin në drejtësi, mbrojtjen e fëmijëve, riintegrimin e të dënuarve, përmbylljen e kompensimit të pronave dhe garantimin e dinjitetit në sistemin penitenciar.


