Komisioni Europian ka prezantuar një dokument strategjik që parashikon përfshirjen graduale të vendeve kandidate në politikat, programet dhe agjencitë e Bashkimit Europian, përpara anëtarësimit të plotë. Për Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, kjo qasje synon ta shoqërojë përparimin e reformave me përfitime konkrete për qytetarët, bizneset dhe institucionet.
Dokumenti, i titulluar “Mekanizmat e integrimit gradual përgjatë kapitujve të anëtarësimit”, propozon që vendet kandidate të përfshihen hap pas hapi në fusha të caktuara të bashkëpunimit europian, në varësi të përmbushjes së kritereve përkatëse.
Në praktikë, kjo do të mundësonte qasje në pjesë të caktuara të tregut europian dhe pjesëmarrje më të gjerë në mekanizma të përbashkët, pa pritur përfundimin e të gjithë procesit të anëtarësimit.
Strategjia mbështetet në strukturën e negociatave, të organizuara në 33 kapituj dhe gjashtë grupkapituj: Themeloret; Tregu i Brendshëm; Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse; Agjenda e Gjelbër dhe Lidhshmëria e Qëndrueshme; Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni; si dhe Marrëdhëniet me Jashtë.
Përparimi në secilën fushë parashikohet të lidhet me mundësi më të mëdha përfshirjeje në strukturat europiane. Kështu, vendet kandidate do të mund të avancojnë në sektorë të ndryshëm sipas rezultateve të reformave dhe përmbushjes së kushteve.
Një nga elementet e dokumentit është zgjerimi i mundësive për pjesëmarrje në punën e agjencive të BE-së. Mes tyre përmenden Frontex, për menaxhimin e kufijve, Europol, për bashkëpunimin policor, Agjencia Europiane e Barnave, Agjencia e Sigurisë së Aviacionit të Bashkimit Europian dhe Autoriteti Europian i Sigurisë Ushqimore.
Dokumenti parashikon gjithashtu mundësi më të gjera pjesëmarrjeje në programet europiane. Këtu përfshihen Erasmus+ për arsimin dhe shkëmbimet akademike, Horizon Europe për kërkimin shkencor dhe inovacionin, LIFE për mjedisin, si dhe instrumenti CEF për lidhjet infrastrukturore në fusha si transporti dhe energjia.
Për Shqipërinë, kjo qasje mund të krijojë më shumë mundësi për studentët, studiuesit, sipërmarrjet dhe institucionet publike, paralelisht me vijimin e negociatave. Synimi është që rezultatet e integrimit të bëhen të prekshme edhe përpara anëtarësimit formal.
Megjithatë, përfshirja në këto mekanizma nuk do të jetë automatike. Ajo do të varet nga kriteret e secilës fushë, zbatimi i reformave dhe përparimi në kapitujt përkatës. Integrimi gradual synon të mbështesë rrugën drejt anëtarësimit të plotë, pa e zëvendësuar atë.
Kina pas zgjedhjeve në SHBA: Të gatshëm të vijojmë bashkëpunimin
Kina ka shprehur gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara pas zgjedhjeve të mesmandatit, në të cilat republikanët e presidentit Donald Trump humbën kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning, deklaroi se Pekini i konsideron zgjedhjet një çështje të brendshme amerikane dhe synon të vijojë punën për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe.
“Zgjedhjet e mesit të mandatit janë një çështje e brendshme e Shteteve të Bashkuara”, u shpreh ajo.
Mao theksoi se Kina është e gatshme të punojë me Uashingtonin për zbatimin e konsensusit të arritur mes dy krerëve të shteteve, forcimin e komunikimit dhe menaxhimin e dallimeve.
Sipas saj, synimi është zgjerimi i bashkëpunimit dhe ndërtimi i një marrëdhënieje konstruktive e strategjikisht të qëndrueshme mes dy vendeve, të mbështetur te respekti, drejtësia dhe reciprociteti.


